01.09.2018

​Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj në Forumin e Dubrovnikut 2018

I nderuari Kryeministër Plenkovic;

I nderuari Kryetar i Parlamentit Gordan Jandrokovic;

I nderuari Komisioner Evropian, Neven Mimica;

I nderuari Kryenegociator Evropian për Mbretëri të Bashkuar, Michel Barnier;

Të nderuar Zëvendëskryeministra;

Të nderuar Ministra dhe Zëvendësministra;

I nderuari Kryetar i Dubrovnikut, Mato Frankovic;

Të nderuar pjesëmarrës;

Zonja dhe zotërinj;

Jam shumë i lumtur që jam sot këtu, Kryeministër Plenkovic, ju falënderoj për mikpritjen tuaj në Kroaci, në qytetin e bukur të Dubrovnikut dhe që na keni dhënë mundësinë për t’u takuar dhe diskutuar mbi qëndrueshmërinë dhe dinamikën e ardhshme të bashkëpunimit tonë.

Nga represioni në rindërtim

Kosova është një shoqëri që në fund të shekullit të kaluar, përjetoi, rezistoi paqësisht dhe në fund luftoi një represion të madh. Ky represion si dhe lufta lanë plagë të thella në shoqërinë tonë.

Me ndihmën e shumë vendeve demokratike, përfshirë Kroacinë, ne kemi kaluar këto dy dekada duke rindërtuar vendin tonë, sistemin tonë dhe në lidhjet mes popullit tonë. Ne kemi punuar shumë për të ndërtuar besimin, përbërësin kryesor të qëndrueshmërisë.

Qëndrueshmëria në shoqërinë Kosovare

Populli i Kosovës është zotuar të përballen me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese në një frymë pajtimi dhe faljeje dhe janë plotësisht të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe nderuar diversitetin e popullit tonë.

Ne mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrje efektive të tyre në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Të nxitur nga objektivi ynë strategjik për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive, ne kontribuojmë në pajtim që i mundëson rajonit tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal.

Fuqizimi i Sundimit të Ligjit

Ne e konsiderojmë Sundimin e Ligjit si një prioritet të lartë të qeverisjes sonë. Angazhimi i Kosovës për të ndërtuar një qeverisje demokratike, gjithëpërfshirëse dhe efektive që do t’i shërbejë popullit të Kosovës pa diskriminim, fillon me një sistem të fortë të sundimit të ligjit.

Gjatë adresimit të sundimit të ligjit si një çështje komplekse, ne kemi identifikuar një qasje më të koordinuar, që veçanërisht kërkon implementim në tri (3) nivele të politikave: 1) Llogaridhënie e sundimit të ligjit, 2) Përgjegjshmëri efektive institucionale dhe 3) Transparence e plotë.

Rruga jonë drejt integrimit – BE dhe NATO

Objektivi ynë kryesor strategjik mbetet aplikimi i plotë i standardeve të BE-së në rrugën tonë drejt procesit të integrimit në BE dhe NATO.

Në këtë rrugëtim, ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të bashkëpunuar dhe për të ndarë përvojat me të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së, dhe në veçanti me Kroacinë, për të na mbështetur dhe ndihmuar të lëvizim Kosovën më pranë Evropës.

Përmes proceseve tona të përkushtuara të reformave në përputhje me standardet evropiane, ne jemi përcaktuar të përmbushim kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA) dhe Agjendës Evropiane të Reformave (ERA), dhe kësisoj duke vërë në pah marrëdhëniet tona kryesore kontraktuale me BE.

Tash se fundmi Kosova ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian dhe LIBE për liberalizimin e vizave, pasi ne jemi i vetmi vend evropian në Evropën gjeografike që mbetet e izoluar. Ende ka punë për t’u bërë, megjithatë jemi të lumtur që të rinjtë kosovarë do të kenë më në fund mundësinë për të udhëtuar për qëllime të shkëmbimeve ekonomike, arsimore, kulturore dhe sociale mes tyre dhe qytetarëve evropianë.

Rruga jonë për integrim në NATO fillon me procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Ky tranzicion fillon si një proces gjithëpërfshirës konsultimi. Ne do të sigurojmë mbrojtjen e njerëzve dhe komuniteteve dhe do të forcojmë stabilitetin e rajonit, Evropës dhe Botës.

Zhvillimi i Forcave të Armatosura të Kosovës synon të vendosë gradualisht raporte bashkëpunimi me vendet aleate, që synojnë të zhvillojnë aftësi, për partneritete efektive në operacionet e përbashkëta me partnerët në rajon dhe në nivel global në kuadër të NATO-së.

Qëndrueshmëria në dialogun me Serbinë

Ne kemi shprehur dhe kemi punuar shumë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Ne kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm që do të sjellin vuajtje për tërë rajonin. Kjo është arsyeja pse ne jemi përkushtuar të zgjidhim problemet tona me Serbinë në mirëbesim dhe duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore.

Marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse ligjore midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë për rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja përfundimtare duhet të jetë rezultati i saj i vetëm i besueshëm.

Çdo ridizajnim i kufijve dhe këmbim i territoreve është një thirrje për tragjedi të reja në Ballkan, duke shkaktuar jo-stabilitet, pasiguri dhe duke vene në rrezik investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për paqen në Kosovë dhe rajon.