14.06.2019

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Interaktiv” në Kohavizion

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Interaktiv të KTV-së, ka folur për zhvillimet e fundit në vend, për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, rëndësinë e takimit të Parisit, por edhe për tema tjera të rëndësishme.

Kryeministri Haradinaj tha se edhe ky përvjetor ishte me ndjenja të përziera, me dhimbje, kujtime, me mungesën e atyre që nuk janë në mesin tonë, e po ashtu nuk i vjen mirë edhe për punët e pakryera.

Duke u shprehur falënderues për ish-presidentin Bill Klinton, ish-sekretaren e shtetit Madelenie Albright, të cilët ishin në Kosovë në shënim të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s, kryeministri Haradinaj tha se është në traditën tonë mirënjohja, respekti dhe falënderimi, por ata e meritojnë edhe në aspektin njerëzor, pasi që ishin udhëheqës të mëdhenj që morën vendime të mëdha nga të cilat u shpëtuan jetët tona.

“Megjithatë mendojë se edhe në rrafshin njerëzor kemi bërë një vepër shumë të mirë dhe kjo u prit mirë nga presidenti Klinton, sekretarja Albright, gjenerali Clark dhe gjithë e mirëpritën mënyrën e falënderimit nga ana jonë. Ishte nderë po ashtu që erdhën”, tha kryeministri Haradinaj.

Lidhur me takimin e Parisit, kryeministri Haradinaj tha se është e rëndësishme që Kosova të shkojë në Parisë dhe ta përkrahë mbajtjen e takimit të lartë.

“Mirë është që të shkojmë si ekip, si delegacion i Kosovës dhe të përgatisim pozicionet tona për të cilat Qeveria po punon. Qeveria nuk e ka ndalë punën asnjëherë që të përgatit pozicionet e Kosovës në tema, sepse ekzekutivi ka më së shumti mundësi, ka njerëz, ka të dhëna, ekspertizë, e ka buxhetin. Vetëm Qeveria mund t’i kryej këto detyra”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se pritjet nga ky takim dhe përmbushja e këtyre pritjeve mund të jenë të ndryshme.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu ka thënë se kontributin më të madh e japin nëse përgatisin pozicione të qarta në emër të Kosovës për një marrëveshje kornizë.

“Kërkesa ime kryesore është një para marrëveshje, një kornizë marrëveshje me emrin e vet, marrëveshje për njohje reciproke Kosovë-Serbi me elemente të tjera të mbetura”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nuk ulet në tavolinë ku flitet për çështje të statusit, as të flitet për territore e kufij me Serbinë.

Në videon e bashkëngjitur, mund të ndiqet e plotë intervista e kryeministrit Haradinaj.