Agjencioni Shtetëror i Arkivave të Kosovës
Arkivi i Republikës së Kosovës është institucion qendror shtetëror.
Arkivi grumbullon, mbron, ruan, rregullon, përpunon, publikon, prezanton dhe jep në shfrytëzim lëndën arkivore.
Kryen veprimtaritë hulumtuese-shkencore dhe bashkëpunon me arkivat brenda dhe jashtë vendit.
HISTORIKU
Lënda arkivore e krijuar në trevat e Kosovës deri në fillim të shek. XX është ruajtur shumë pak.
Sunduesit e ndryshëm nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen, grumbullimin dhe ruajtjen e dokumenteve të shkruara.
Kjo ka ndikuar që në masë të madhe lënda arkivore me prejardhje nga kjo trevë të shkatërrohet ose të bartët jashtë vendit.
Në vitin 1948, në kuadër të Drejtoratit krahinor për Arsim dhe Kulturë formohet qendra arkivore.
Më 20 mars 1951, në bazë të Ligjit mbi arkivat shtetërore dhe me vendimin e Këshillit Popullor Krahinor formohet Arkivi Shtetëror Krahinor.
Që nga viti 1968, me ndryshimet kushtetuese, ky institucion emërtohet Arkivi i Kosovës.
Në të njëjtën vit themelohen Arkivat ndërkomunale: në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë. Duke filluar nga viti 1974 e deri në vitin 1990, arkivi veproi si institucion i pavarur.
Me suprimimin e autonomisë nga Kuvendi i RSS, Arkivi administrohet nga masat e dhunshme dhe i ndërrohet emri në Arkivi i Kosovës dhe Metohisë.
Pas mbarimit të luftës së vitit 1999 dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare të OKB-së, saktësisht më 21 qershor të këtij viti, arkivi administrohet nga organet legjitime të dala pas luftës dhe i rikthehet emri Arkivi i Kosovës.
Më 2003 aprovohet ligji mbi lëndën arkivore dhe arkivat. Në bazë të këtij ligji krijohet Drejtoria e Arkivave të Kosovës.
Në bazë të Ligjit nr. 03/L-077, për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2003/7 për lëndën arkivore dhe arkivat, Drejtoria e Arkivave të Kosovës shndërrohet në Agjencin Shtetëror të Arkivave si institucion qendror në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës Zyrës së Kryeministrit, i cili organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë arkivore.
http://ashak.rks-gov.net/

