Ballina BreadCrumbTrailer Zëvendëskryeministra...

Ministrat

Hajredin Kuçi Zëvendëskryeministër i parë
Prof. Dr. Hajredin Kuçi nga qershori 2016 është Zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për dy mandate qeverisëse gjatë periudhës 2011 deri qershor 2016 ishte Ministër i Drejtësisë ndërsa, gjatë periudhës 2011-2014 ishte njëkohësisht edhe Zëvendëskryeministër. Në vitin 2008, Prof. Dr. Kuçi gjithashtu ishte i  emëruar si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit.

Që nga viti 1999, Prof. Dr. Hajredin Kuçi është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Prof. Dr. Kuçi është gjithashtu profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik dhe në Departamentin e Shkencave Politike. Ai gjithashtu ka qenë profesor vizitor në universitete të ndryshme në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në zgjedhjet qendrore të mbajtura në 2001, 2004, 2007 dhe 2010, Prof. Dr. Hajredin Kuçi u zgjodh Deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitin 2006, Prof. Dr. Hajredin Kuçi u emërua  Kryetar i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës, i thirrur për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Nga viti 2004 deri 2005, ai shërbeu edhe si Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nga viti 1996 deri më 2004, shërbeu si Drejtor për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Prishtinës.

Prof. Dr. Kuçi ka përfunduar studimet juridike në Prishtinë në vitin 1993. Ai përfundoi magjistraturën e parë në Prishtinë në të drejtën civile-ekonomike, ndërsa magjistraturën  e dytë në Universitetin e Bilkent në Ankara, Turqi. Prof. Dr. Kuçi ka përfunduar doktoratën sipas sistemit modular të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Graz-it në Austri, nën mbikëqyrjen e Prof. Dr. Wilibald Posch, duke fituar titullin akademik Doktor i Shkencave Juridike. Ai ka marrë pjesë në shumë seminare, konferenca dhe simpoziume. Prof. Dr. Kuçi, gjithashtu,  ka botuar punime shkencore dhe artikuj mbi zhvillimet ligjore, politike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në revista të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.


KOSOVO IN UNESCO