Ballina BreadCrumbTrailer Zëvendëskryeministra...

Ministrat

Ramiz Kelmendi Zëvendëskryeministër


Ramiz Kelmendi (i lindur më 1 maj të vitit 1958 në Bllagajë të Komunës së Pejës) është biznesmen dhe politikan kosovar, themelues i ELKOS Group.Babai i tij ishte Çun Kelmendi, ndërsa e ëma Mone. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm në gjimnazin “11 Maji” në Pejë. Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës në të cilin më 1981 do të diplomohej me sukses. Fill pas studimeve u punësua si profesor i matematikës dhe fizikës në Shkollës e Mesme Teknike “ Shaban Spahija” në Pejë.

Karrierën e menaxherit e filloi në ndërmarrjen elektromontuese “Elmont” në Pejë në vitin 1982. Në këtë ndërmarrje ai e mbajti pozitën e drejtorit deri më 1989, nga e cila pozitë ai do të shkarkohej vetëm pse nuk iu bind regjimit të atëhershëm serb. Mirëpo ai nuk u ndal. Vetëm pas disa muajsh ai do të themelonte kompaninë private “ELKOS” (EL-elektroinxhinier dhe KOS-(i)Kosovës) në Pejë, si ndërmarrje e tregtisë me shumicë, pakicë dhe shërbime inxhinierike. Kjo ndërnarrje për themeluesin e saj kishte një rëndësi të veçantë pasi që atë e shihte si një projekt të afrimit të shqiptarëve të fushave të ndryshme. Që nga ajo kohë, ELKOS shënoi rritje të vazhdueshme dhe kështu filloi me hapjen e degëve e tij në qytete të ndryshme të Kosovës (degën kryesore në Prishtinë), e më pas në Mal të Zi dhe Shqipëri, ndërsa tani së fundmi edhe në Maqedoni. Në vitin 2000, strategjia e ELKOS do të përqendrohej nga vendet perëndimore. Nuk vonoi shumë dhe u nënshkruan kontratat e para me prodhues të njohur evropianë e që si rezultat i tyre ishte marrja e ekskluzivitetit për shpërndarjen e mallrave të tyre në Kosovë. Suksesi dhe zhvillimi i kompanisë është arritur në saje të vizionit të lidershipit dhe përkushtimit të pashoq të punëtorëve të saj. Këta dy faktorë e kanë bërë ELKOS Group-in kompani prijëse dhe ndër më prestigjiozet në Kosovë dhe më gjerë. Dëshmi e suksesit të Group-it është edhe ELKOScenter. Ajo është një qendër tregtare multidimensionale e cila ofron një gamë të gjerë, duke filluar nga artikujt dhe shërbimet bazë e deri te ato më delikate dhe inovative. Më 2005, ELKOS Group i hapi vetes një sfidë të re. Fjala është për krijimin
e zinxhirit të hipermarketeve në tërë territorin e Kosovës të njohur me emrin
ETC (Elkos Trading Center). Që nga ajo periudhë e deri më sot numri i hallkave të këtij zinxhiri ka arritur në 25 sosh. Dy vjet më vonë, Ramiz Kelmendi vendosi të themelonte ELKOS Agrar. Fillimisht në Shqipëri e më pas në Kosovë.
Menaxhmenti i ELKOS-it synonte që përmes kësaj iniciative të nxiste punimin e tokave të braktisura nga vetë fshatarët, zhvillimin dhe përkrahjen e këtij sektori të rëndësishëm dhe kthimin e tij në një gjenerator të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik në këto dy vende. Pjesë të ELKOS Group janë: ETC, ELKOScenter, ELKOShomeline, e-market, ELKOSdistribution, ELKOScontruction dhe kanali televiziv E-tv.
 
Krahas drejtimit të ELKOS Group, Ramiz Kelmendi njihet si një ndër donatorët më të mëdhenj në vend kur është fjala për çështjet me interes publik dhe kombëtar. Në listën e kontributeve të tij mund të gjesh përkrahjen e familjeve me nevojë, ato të të punësuarve të kompanisë së tij, shumë familje dëshmorësh, invalidët e luftës dhe shoqatat e dala nga lufta, financimet e aktiviteteve rinore, botimin e shumë librave universitarë, përkrahjen e studentëve përmes bursave, ndërtimin e shtëpive për familjet pa kulm mbi kokë, shërimin e të sëmurëve jashtë vendit, financimin e mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së në procesin gjyqësor të Hagës, etj.
 
Pikëpamjet e tij politike janë të djathta. Ai ishte pjesë e legjislaturës 2010-2014. Si politikan njihet për kreativitetin dhe origjinalitetin e tij. Ai luajti rol jashtëzakonisht të madh, me rastin e heqjes të udhëzimit administrativ për disa artikuj bazë të miratuar nga AVUK i Qeverisë të Republikës së Kosovës, në pamundësimin e monopolit në tregun e Kosovës të këtyre artikujve. Në anën tjetër, u shqua si debatues dhe përkrahës i fuqishëm i futjes së arkave fiskale, përmes së cilave fiton buxheti i Kosovës. Njëkohësisht, ishte zë i fuqishëm me rastin e debateve, hartimit, miratimit dhe zbatimit të shumë ligjeve, si anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social të Ministrisë për Mirëqenie Sociale, sikur qe miratimi i Ligjit të Punës. Po kështu, Ramiz Kelmendi është i njohur si autor i shumë shkrimeve në gazeta ditore, me tema jo vetëm nga ekonomia, por edhe më gjerë si dhe pjesëmarrës aktiv në debatet aktuale e “të nxehta” nga ekonomia në mediat elektronike. Tani ai synon një mandat të dytë, por me një mision tërësisht ndryshe nga i kaluari. Platforma e tij politike në fokus ka përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës përmes:
 
 
zhvillimit të bujqësisë,
 
ekonomive familjare dhe
 
përkrahjes së ndërrmarrësve të rinj.
 
 
Ashtu si të kaluarin, edhe këtë mandat ai do ta fillojë me çështjet më të rëndësishme siç janë krijimi i infrastrukturës ligjore, e cila do të mundësojë punësim më të madh, gjithnjë përmes krijimit të hapësirës dhe ambientit më të përshtatshëm për thithjen e investitorëve të huaj, në mënyrë që edhe ky segment i rëndësishëm për zhvillimin e vendit të gjenerojë vende të reja të punës. Gjithë kjo do të mund të arrihet duke themeluar biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha, me kapital individual privat apo në formë aksionare. Këtu ai ka parasysh bujqësinë, përmes secilës do të mund të krijoheshin më së shumti vende pune. Ai, po ashtu, do të angazhohet edhe në miratimin e ligjit për tërheqjen e mjeteve finaciare të Fondit Pensional dhe Invalidor, atij të Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe fondeve tjera, që veprojnë në Evropë. Pastaj ai do të angazhohet në ligjet që rregullojnë financimin e projekteve ekonomike me kredi investive, të cilat investime, përveçse do të rrisin standardin e jetës, ato Kosovën do ta afirmojnë në arenën ndërkombëtare. Patjetër, shtyllë e rëndësishme ekonomike e konceptit të tij zhvillimor do të jetë edhe më tej konsumimi dhe shtimi shumë më i madh e më i fuqishëm i kapaciteteve të prodhimtarisë vendore, përmes së cilave, sikurse dihet, do të ndalet importi, e që në të njëjtën kohë, do të rris eksportin.

Agjenda ditore

24 mars 2017

1. Kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në Konferencën Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat.

VENDI: Restorant Krapi-Mitrovicë
KOHA: 11:30

2. Kryeministri Isa Mustafa viziton kompaninë për prodhimin e betonit “Burimi” Sh.p.k.


VENDI: Shupkofc-Mitrovicë
KOHA: 13:30

3. Kryeministri Isa Mustafa viziton kompaninë për prodhimin e mobileve “Veli”. 

VENDI: Shupkofc-Mitrovicë
KOHA: 14:00

 


 
 

Shkruaj Kryeministrit

KOSOVO IN UNESCO