Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 6 janar 2017

E drejtuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 126-të me radhë.
Fillimisht, kryeministri Mustafa ka shprehur edhe njëherë shqetësimin lidhur me ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.
“Më lejoni të shpreh shqetësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.
Më lejoni që të ritheksoj qëndrimin e padilemë të Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë.
Ne e kemi bërë të qartë që në momentet e para të ndalimit të z. Haradinaj, se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë angazhuar me kapacitet të plotë  dhe vazhdojnë të punojnë me prioritet të plotë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejt të z. Haradinaj, në mënyrë që ai sa më parë të kthehet në Kosovë dhe të vazhdoj me aktivitetet e tij.
Aktet e ndalimit të z. Haradinaj, por dhe personaliteteve të tjera në  Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se z. Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë.
Andaj, ne presim që z. Haradinaj të kthehet shumë shpejtë në Kosovë, dhe po ashtu presim që edhe Qeveria Franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore. 
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme.
Ne në konsultim të gjithanshëm me autoritetet brenda dhe jashtë vendit, do të shqyrtojmë masat adekuate të veprimit në rast se Serbia, duke keqpërdorur mekanizmat ndërkombëtarë që merren me rend dhe ligj, do të vazhdojë aplikimin e këtyre akteve të palejueshme dhe të pamoralshme politike ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve për liri të Kosovës.
Unë po ashtu kërkoj që organet kompetente, të cilat me një përkushtim shumë të madh kanë punuar deri më tani, të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që z. Haradinaj të kthehet, por po ashtu do të vazhdojmë që të kemi kontakte edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohen veprimet e tilla serbe në të ardhmen”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveria ka miratuar vendimin për t'i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për financim për Projektin për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Fondet që do të huazohen nga kjo marrëveshje, do të përdoren për financimin e projektit, pra për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, përkatësisht revitalizimin e kanalit Ibër-Lepenc dhe ndërtimin e një rezervuari të ujit, i cili do të shërbej për raste emergjence.

Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar edhe dy nismat për lidhjen e "Marrëveshjes mbi punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës", e para ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, si dhe e dyta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Panamasë. Këto dy marrëveshje, përveç rëndësisë konkrete dhe përmbajtjes konkrete, ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në mes të Kosovës në njërën anë dhe Italisë dhe Panamasë në anën tjetër. 

06.01.2017 10:25
Prapa

Agjenda ditore

11 dhjetor 2017

1.Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian.
 
VENDI: Ndërtesa e Qeverisë
KOHA: 09:00
 
2.Kryeministri Ramush Haradinaj viziton Shkollën Ndërkombëtare “Maarif”.
 
VENDI: Prizren
KOHA: 12:00

Shkruaj Kryeministrit

KOSOVO IN UNESCO