Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

shkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 15 shkurt 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të 131-ën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, marrëveshje dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësisë së saj kushtetuese dhe ligjore.

Fillimisht, kryeministri Mustafa i ka uruar mirëseardhje në kabinet ministres së re të Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Qeverisë.

Qeveria ka miratuar rregulloren për Kushtet e Përfitimit dhe Mënyrën e Realizimit të së Drejtës për Ndihmë të Njëhershme me Para, që është obligim i dalë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera. Rregullorja ka për qëllim përcaktimin e shumës dhe mënyrës së realizimit të së drejtës për ndihmë të njëhershme me para, në rastet kur pjesëtari i strukturave për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë, gjatë kohës së pjesëmarrjes së organizuar në kryerjen e detyrave të mbrojtjes dhe shpëtimit të jetës së njerëzve, të mirave materiale dhe trashëgimisë kulturore nga rreziqet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, humb jetën.

Është miratuar Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik 2017-2021, e cila përmban vizionin, objektivat, masat dhe hapat që Qeveria dhe organet kryesore të prokurimit publik në Republikën e Kosovës synojnë dhe planifikojnë t’i ndërmarrin dhe arrijnë brenda periudhës së ardhshme afatmesme me qëllim të avancimit të sistemit të prokurimit publik.

Kabineti në këtë mbledhje ka miratuar Planin e Veprimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2015. Në seancën plenare të datës 1 dhjetor 2016, Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2015, për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015. Në rekomandimet e nxjerra nga Kuvendi, është kërkuar që Qeveria të përgatis Planin e Veprimit për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të Raportit të Auditmit, si dhe të raportoj rregullisht për arritjet e bëra në zbatim në baza tremujore. 

Qeveria aprovoi edhe Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2016. Ky raport prezanton vlerësimet e Komisionit të Granteve, të përshtatshmërisë së sistemit të financimit të komunave për vitin 2016. Raporti gjithashtu përmban sfidat kryesore të identifikuara nga Komisioni i Granteve, si dhe ofron rekomandime për përmirësime të mëtutjeshme në sistemin e financimit komunal.

Kabineti qeveritar aprovoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga Rikonstruktimi i Rrugës Nacionale N2 udhëkryqi Gjilan-QMI, Zona Kadastrale Llapna Sellë, Komuna e Graçanicës.

Po ashtu, u aprovua edhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës lidhëse me Rrugën Nacionale N9 Prishtinë-Pejë, Zona Kadastrale Kijevë, Komuna e Malishevës.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit për financimin dhe drejtimin e zbatimit të projektit “HERAS”, Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat Aplikative (Kosovë) ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim ADA. Projekti ka për qëllim që të kontribuojë në funksionimin sa më të mirë të arsimit të lartë dhe të shkencës në Kosovë në përputhje me parimet e fushës evropiane të arsimit të lartë, si dhe në përputhje me fushën evropiane të kërkimit për qëllime afatgjata në përkrahje të zhvillimit socio-ekonomik të vendit. Projekti do të implementohet për periudhën tre vjeçare 2017-2019.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim që Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Regjistrim Civil në MPB të ricaktohet në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së.

Kabineti qeveritar u informua edhe për progresin e Planit të veprimit të fillimit të mbledhjes së premiumeve shëndetësore.  
“Në objektivin e ngritjes së kapaciteteve të Fondit mund të themi se kemi siguruar vlerësimin e ndikimit financiar nga Ministria e Financave për miratimin e rregullores së organizimit të brendshëm dhe jemi në pritje që këtë aprovim ta marrim edhe nga Ministria e Administratës Publike. Janë përfunduar përshkrimet e vendeve të punës për 26 pozita të reja dhe pas miratimit të rregullores do të fillon menjëherë rekrutimi. Gjithashtu kemi përfunduar planin e trajnimeve për skemën e barnave jashtë spitalore dhe pagesën për kapitacion duke u bazuar në performancë që shkon për kujdesin parësor- shëndetësor. Është përgatitur rregullorja e re financiare e Fondit e cila shumë shpejt do të sjellët në Qeveri. Grupi punues për plotësim-ndryshim të Ligjit për Sigurime Shëndetësore  ka hartuar draftin fillestar i cili është në procedura të tjera të miratimit dhe shumë shpejtë, ashtu siç jemi marrë vesh do ta sjellim edhe në Qeveri, por edhe do ta procedojmë në Parlament. Është gati drafti fillestar për udhëzimin administrativ për përcaktimin e kritereve për lirim nga pagesa e premiumeve, bashkëpagesa dhe pagesat tjera. Është fjala për të nominuarin si testi i varfërisë që do të implementohet shumë shpejtë. Draft dokumenti për listën e kujdesit themelor spitalor ka kaluar të gjitha procedurat  e harmonizimit me institucionet shëndetësore. Gjithashtu përmes projektit të Bankës Botërore, projektit shëndetësia kosovare, është angazhuar një konsulent i cili brenda pak ditësh do të bëjë vlerësimin dhe propozimin për llojin më të përshtatshëm të DRG-së, që hyn në kuadër të objektives çmimorja e shërbimeve shëndetësore të pakos bazike. Gjithashtu është mbyllur faza e diskutimit publik me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për listën e shërbimeve shëndetësore jashtë spitalore dhe çmimoren e tyre. Grupi punues për definimin e barnave të rimbursueshme është në faza shumë të avancuara të definimit të listës finale, bashkërisht edhe me koston. Gjithashtu është hartuar drafti i parë i udhëzimit administrativ për definimin e kritereve për kontraktim të barnatoreve për listën e rimbursueshme, sikurse që kemi një analizë fillestare për koston e skemës për barnat jashtë spitalore. Në këtë periudhë është finalizuar manuali i pagesës për kapitacion sipas performancës dhe është bërë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Ministrinë e Financave dhe gjashtë komunat e zonës pilot. Janë printuar dhe shpërndarë mbi 300 mijë fletëpalosje informuese në tërë vendin në kuadër të aktiviteteve informuese, sikurse që është finalizuar edhe strategjia e komunikimit dhe janë përgatitur termat e referencës që ka rezultuar me fillimin e procesit për përzgjedhjen e një kompanie implementuese që diku kah prilli pritet të filloj punën për implementimin e kësaj strategjie. Besoj që edhe dokumentacioni përcjellës u është përcjellë dhe aty vërehen të gjitha detajet. Unë kisha falënderuar të gjitha ministritë për mbështetjen dhe angazhimin me prioritet në përmbushjen e këtij plani të veprimit, sikurse që kisha kërkuar që edhe më tutje të vazhdojmë me një intensitet të shtuar të përkrahjes sepse jemi në procese në luftë me kohën”, tha ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë tha se është marrë vendim që të kërkohet nga Ministria që të kemi informata të rregullta lidhur me progresin që bëhet tek plani i veprimit për grumbullimin e premiumeve. “Dje ka qenë debati në Kuvend, i kemi njoftuar se nga 1 korriku ne do të fillojmë me implementimin e vendimit të Qeverisë për fillimin e grumbullimit të premiumeve. Tash është një rezolutë e Kuvendit e cila kërkon që edhe Kuvendin ta njoftojmë çdo tre muaj për këtë. Praktikisht është mirë që me raportin që do ta kemi muajin e ardhshëm që ne atë raport t’ia dërgojmë Kuvendit, në mënyrë që edhe Kuvendi të jetë në rrjedhë të gjitha veprimeve që po ndërmerren duke e freskuar këtë që u dha sot në Qeveri”, tha kryeministri Mustafa.

Pikë tjetër që mori aprovimin e kabinetit qeveritar është Informimi i Kabinetit Qeveritar lidhur me Raportin mbi Performancën e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore. Ky raport përmban një analizë të shkurtër mbi trendët kryesore në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore për muajin janar 2017. Të hyrat e përgjithshme përgjatë periudhës janar 2017 kanë shënuar rritje prej 4.7 për qind krahasuar me periudhën e vitit paraprak, nga të cilat të hyrat në kufi regjistruan rritje prej 5.5 për qind, ndërsa të hyrat vendore u rritën me 3.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë. Kemi pas një rritje të konsiderueshme të të hyrave tjera siç janë, tatimet e mbajtura në burim, tatimet në qira, në loto, të drejtat pronësore dhe të hyrat që kanë derivuar nga Ligji për Faljen e Borxheve. Edhe të hyrat vetanake po performojnë mirë. Këtë fillimvit kemi 8 për qind rritje krahasuar me janarin e vitit paraprak. Tek shpenzimet në janar kemi shpenzuar 80 milionë që është 2.3 për qind më shumë se janari i vitit të kaluar që ka ardhur kryesisht nga rritja e shpenzimeve për subvencione dhe transfere nëpër skema të ndryshme, shpenzimet tjera janë brenda parashikimeve.

Kabineti qeveritar u njoftua edhe për takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal dhe Komisionit Evropian.
“Takimi mbahet në Prishtinë më 16 shkurt 2017. Nën Komitetet janë pjesë e strukturave formale për monitorimin e zbatimit të MSA-së. Në takim do të diskutohet progresi në zbatimin e reformave, përfshirë edhe konkluzionet e vitit të kaluar dhe do të dakordohen masat që duhet marrë për zbatimin e kritereve dhe afrimin e mëtejmë me politikat e BE-së në sektorë të transportit, mjedisit, energjisë dhe zhvillimit rajonal. Poashtu, do të diskutohet edhe për zbatimin e masave prioritare të agjendës së reformave evropiane dhe programit të  reformave ekonomike, si dhe agjendën e konktivitetit, masat e buta për këta sektorë. Sa i përket sektorit të mjedisit, fokusi do të jetë në zhvillimet e fundit në politikat mjedisore. Sa i përket cilësisë së ajrit, do të bisedohet lidhur me matjet në kohë reale dhe raportimet për cilësinë e tij. Pikë të rëndësishme diskutimi, do të jenë edhe zbatimi i master planit për mbeturina, si dhe themelimi i operatorit për deponinë e mbeturinave të rrezikshme. Temë e rëndësishme e diskutimit, do të jetë edhe themelimi i autoritetit menaxhues të pellgjeve lumore dhe përgatitja e planeve menaxhuese për këto pellgje. Në kuadër të ndryshimeve klimatike, në takim pritet të diskutohen për zbatimin e strategjisë për adaptim dhe misione të ulëta, përditësimin e raportimit për inventarin e gazrave serë, si dhe zbatimin e legjislacionit sekondar për monitorim dhe raportimin e misioneve të gazrave serë dhe të dioksidkarbonit nga veturat. Sa i përket zhvillimit rajonal, do të diskutohet për koncept dokumentin për zhvillim rajonal. Në fushën e transportit, diskutimet do të fokusohen në zbatimin e masave të buta në kuadër të agjendës së konektivitetit, si dhe në progresin dhe projektet për ndërtimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore. Poashtu, pika të rëndësishme diskutimi do të jenë zbatimi i legjislacionit për siguri rrugore, miratimi i ligjit për patentë shofer, përforcimi i kapaciteteve dhe pavarësia financiare e rregullatorit hekurudhor, emërimi i hetuesit të hekurudhave në komisionin për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve, si dhe zhvillimet tjera relevante. Në kuadër të transportit ajror, temë do të jetë përmbushja e kërkesave të mbetura nga faza e parë e marrëveshjes mbi hapësirën e përbashkët evropiane të aviacionit, si dhe zbatimi i Ligjit për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Në fushën e energjisë, diskutimet do të fokusohen në zbatimin e masave të buta në kuadër të agjendës së konektivitetit, pastaj për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, si dhe nismat e ndërmarra në krijimin e tregut të brendshëm të energjisë.
Fokusi i bisedimeve do të jetë edhe zhvillimi i kornizës strategjike përmes aprovimit të strategjisë gjithëpërfshirëse të energjisë. Sa i përket efiçiencës së energjisë, do të bisedohet për miratimin e ligjit për efiçiencë të energjisë, planit veprues për efiçiencë të energjisë, si dhe masave të përbashkëta mjedisore dhe atyre të efiçiencës së energjisë. Do të diskutohet edhe për themelimin e tregut dhe bursës së përbashkët të energjisë me Shqipërinë. Tema e fundit që do të diskutohet në takim, do të jetë lidhur me projektet në sektorin e energjisë të financuar në kuadër të programit IPA 1 dhe 2. Për të gjitha fushat, është përgatitur raporti i bazuar në materialet e pranuara nga institucionet dhe i cili raport do të ndahet me Komisionin Evropian para takimit. Konkluzionet zyrtare do të hartohen dhe dakordohen mes palëve pas takimit bazuar në diskutimet në takim dhe propozimet e KE-së. Pjesë e konkluzioneve janë edhe masat dhe veprimet që vendi ynë duhet  t’i realizojë në periudhën e ardhshme njëvjeçare në kuadër të zbatimit të MSA-së dhe agjendës evropiane”, tha ministrja e Integrimeve, Mimoza Ahmetaj.

Prapa

Agjenda ditore

28 mars 2017

1.Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri pret në takim Zëvendës ndihmës Sekretarin e SHBA z. Hoyt Yee.
 
VENDI: Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kati i tretë
KOHA: 15:00 (VETËM PAMJE)
 

Shkruaj Kryeministrit

KOSOVO IN UNESCO