Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 19 prill 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 142-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar ishte nisma për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe në reagimin e shpejtë në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes civile, në veçanti lidhur me planifikimin dhe masat parandaluese për t’u  mbrojtur nga përmbytjet, tërmetet, bllokimet nga bora, zjarret, ndotja, aksidentet detare, ndotja radiologjike si dhe fatkeqësitë tjera që vijnë qoftë nga veprimtaria njerëzore, ndihmë të ndërsjellë në mbrojtje, kërkim-shpëtim dhe eliminim të pasojave që vijnë nga fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera.

Qeveria miratoi edhe vendimin për themelimin e Këshillit të Turizmit të Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdën e përpjekjeve të përgjithshme të Qeverisë për të përmirësuar zhvillimin e turizmit dhe për të mundësuar rritjen ekonomike në Kosovë, në pajtim me programin e Qeverisë, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Raportin e Progresit 2016 për Kosovën, është e angazhuar në mënyrë aktive për zhvillimin e politikave turistike dhe ka për qëllim përmirësimin e ofertës turistike dhe rritjen e numrit të turistëve në Kosovë.

Themelimi i këtij këshilli, synon përfaqësimin e të gjithë akterëve kryesor që ndërlidhen me zhvillimin e turizmit. Baza ligjore për themelimin e Këshillit të Turizmit është Ligji 04/L 176 për turizmin i cili parasheh themelimin e Këshillit të Turizmit në përbërje të 7 anëtarëve dhe dy anëtarëve vëzhgues, të cilët janë të përfaqësuar nga ministritë e linjës për zhvillimin e turizmit. Roli i këtij Këshilli është ngritja e dialogut dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat dhe atij publik, me synim të propozimit të politikave dhe planeve për zhvillimin e turizmit, promovimin e Këshillit, këshillimin dhe dhënien e rekomandimeve për MTI-në, si dhe zhvillimin e standardeve turistike dhe hoteliere për ngritjen e cilësisë së shërbimeve.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi edhe vendimin përfundimtar për shpronësim dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit për interes publik të pronave private dhe shoqërore, te cilat preken nga realizimi i fazës se tretë të Projektit për ndërtimin e “Fabrikës së Re të Ujit” në Fshatin Shkabaj.

Edhe vendimi për pezullimin e zbatimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, mori miratimin e kabinetit qeveritar. Kjo rregullore është miratuar me datë 30 qershor 2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Odës së Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë 26 prill 2016. Kjo rregullore është kontestuar nga një grup i avokatëve të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente dhe kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të iniciojë procedurën për pezullimin e zbatimit të rregullores deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast.

Kabineti qeveritar, miratoi dhe vendimin për transferin e stafit dhe rialokimin e mjeteve financiare për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores nr. 2 për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren nr. 7/2011 dhe të nenit 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës 09/2011, u propozua aprovimi i vendimit për transferin e stafit prej 50 zyrtarëve, si dhe mjeteve financiare në shumë prej 31.643 euro nga fondi i kontigjencës i paraparë në aneksin e vendimit 06/39 të Qeverisë i datës 22 korrik 2015 për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” dhe integrimin e ish-personelit të saj në institucionet civile të Republikës së Kosovës. Ky vendim e rrumbullakëson zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”.

Pas kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qeveria e Kosovës mori vendim për tërheqjen e Projektligjit të Arsimit të Lartë nga procedurat e Kuvendit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar u informua për takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Në këtë takim, i mbajtur më 6 prill 2017 është diskutuar progresi për zbatimin e MSA-së dhe reformave, përfshirë edhe konkluzionet e vitit të kaluar, sfidat dhe janë dakorduar masat që duhet marrë në muajt në vijim në një varg sektorësh, që nga tregtia, industria, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.

Në informatën para kabinetit qeveritar, ministrja e Integrimeve Evropiane, tha se është diskutuar edhe për masat prioritare të agjendës së reformave evropiane dhe programit të reformave ekonomike për këta sektorë.

“Në sektorin e tregtisë janë diskutuar zhvillimet e fundit sa i përket kornizës legjislative, implementimit të MSA-së, nënshkëmbimet tregtare dhe zbatimit të CEFTA-s. Pjesë e diskutimit ishte edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë. Komisioni njoftoi se është duke shqyrtuar mundësitë më të mira për përmirësimin e zbatimit të konventës regjionale Pan Euromed për rregullat e origjinës, si një nga konventat që del nga MSA-ja për tregtinë me BE-në. Në fushën e Doganës, është diskutuar mbledhja e të hyrave nga dogana dhe implikimet fiskale të zbatimit të MSA-së. Komisioni Evropian përshëndeti progresin e bërë nga Dogana sa i përket luftimit të kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe masat që Dogana ka ndërmarrë për lehtësimin e tregtisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kapaciteteve administrative. Është kërkuar nga institucionet tona që të ruhen praktikat e mira gjatë bashkimit të Doganës dhe ATK-së. Ndërsa në fushën e tatimeve, është diskutuar zhvillimi institucional, përfshirë ndryshimet në politikat tatimore, bashkimin në një agjenci të të hyrave dhe sistemin e teknologjisë informative. Një nga pikat më të rëndësishme, ka qenë edhe luftimi i ekonomisë joformale, ku është diskutuar zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, përfshirë edhe monitorimin dhe raportimin, si dhe rishikimin e planit të veprimit për të adresuar sektorët me potencial më të lartë rreziku. Sa i përket politikave të industrisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është folur për zhvillimet legjislative dhe ato të politikave kryesore industriale. Në fokus ishin legjislacioni për shoqëri tregtare, për falimentimet, për zonat ekonomike dhe çështjet që  janë pjesë e reformave të programeve ekonomike dhe Agjendës Evropiane të Reformave që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, është diskutuar për zhvillimet sa i përket infrastrukturës së cilësisë, përfshirë edhe kornizën ligjore për standardizimin, metrologjinë, inspektimet e përgjithshme, kërkesat teknike dhe vlerësimin e konformitetit. Në veçanti, në këtë fushë është me rëndësi harmonizimi me direktivat dhe rregulloret e BE-së dhe kapacitetet industriale, marrë parasysh që kjo fushë është e rëndësisë primare për zbatimin e MSA-së në tregti me Bashkimin Evropian. Konkluzionet zyrtare hartohen dhe dakordohen mes palëve bazuar në diskutimet në takim dhe propozimet e Komisionit Evropian. Pjesë e konkluzioneve janë edhe masat e veprimit që vendi jonë duhet të realizojë në periudhën e ardhshme njëvjeçare në kuadër të zbatimit të MSA-së dhe agjendës evropiane”, tha ministrja.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO