Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 17 korrik 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 149-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë që mori miratimin e kabinetit ishte rregullorja për detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat e komisioneve të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Në pajtim me Ligjin nr. 5L/010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës do të jenë dy komisione, ai për kërkesa pronësore dhe komisioni për verifikimin dhe vendosje për prona, anëtarët e të cilave do të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komisioni ka për qëllim të bëjë zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale si dhe krahasimin dhe zgjidhjen e dallimeve në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga pushteti serb para qershorit të vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive private.

Kabineti qeveritar miratoi edhe rregulloren për punën e Bordit mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me të cilën përcaktohen rregullat e procedurës, parimet e përgjithshme, organizimi, mbajtja e mbledhjeve, si dhe mënyra e marrjes së vendimeve në mbledhjet e këtij bordi.

Në mbledhje u miratua edhe rregullorja për detyrat, përgjegjësitë dhe organizimin e Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, që përcakton kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të kësaj agjencie. Me këtë rregullore përcaktohen procedurat e krahasimit dhe verifikimit të dokumenteve dhe zgjidhjes së rasteve, vazhdimi i zgjidhjes së kërkesave të parashtruara sipas procedurave në Agjencinë Kosovare të Pronës, të drejtat e palëve në procedurë, nxjerrja e vendimeve, zbatimi i vendimeve përmes mjeteve juridike të parapara me ligj, bashkëpunimi me institucione tjera, etj.

Qeveria miratoi edhe udhëzimin administrativ lidhur me lirimin e bartësve të së drejtës së pronësisë apo shfrytëzimit nga borxhet e shërbimeve publike komunale për pronat e uzurpuara dhe nën administrimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me të cilin përcaktohen kushtet për lirimin e bartësve të së drejtës së pronësisë apo shfrytëzimit nga obligimi i pagesës së borxheve të papaguara për shërbimet publike komunale për periudhën sa ka qenë prona e uzurpuar apo gjatë periudhës së shfrytëzimit sipas skemës së Agjencisë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës mbi qiradhënien.

Po ashtu, u miratua edhe udhëzimi administrativ për procedurat, kushtet dhe kriteret rreth përfundimit  të administrimit të pronave nën administrimin dhe atyre të përfshira në skemën e qirasë të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Objektiv kryesor i këtij udhëzimi është që të lehtësohet zbatimi i skemës së qirasë, si dhe përfundimi i administrimit të pronave nën administrimin dhe atyre në skemën e qirasë.

U miratua edhe rregullorja për programet e Trajnimeve bazike dhe të Avancuara si dhe Provimin Profesional në Fushën e Mbrojtjes nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera. Qëllimi i hartimit të kësaj rregulloreje, është përcaktimi i programit të trajtimeve bazike dhe të avancuara, si dhe organizimi i provimit profesional dhe kushtet që duhet plotësuar nga personat juridik për aftësimin teorik dhe praktik të kandidatëve në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.

Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi edhe Listën e masave të Pakos Fiskale 2.0. Kryeministri Mustafa falënderoi për punën e bërë, duke vlerësuar punën e bërë në përmbylljen e pakos fiskale.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për vazhdimin e mandatit për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi për emërimin e Këshilltarit të Konstituencës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kosova nga viti 2012 është anëtare me të drejta të plota në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky anëtarësim i ka ndihmuar Kosovës që të përfitoi një numër të konsiderueshëm të projekteve nga BERZH-i dhe deri më tash janë 51 projekte që Kosova ka përfituar nga ky institucion financiar ndërkombëtar në vlerë prej 228 milionë euro, prej të cilave aktualisht janë duke u zbatuar projekte në vlerë prej 138 milionë euro, pjesa dërrmuese në sektorin publik, në financimet e projekteve infrastrukturore, por ka edhe në sektorin privat në bazë të marrëveshjeve që BERZH ka me kompani dhe me banka vendore.

“Në maj të vitit 2017 është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet kryeministrit Mustafa dhe presidentit të BERZH-it, i cili parasheh fushat në të cilat BERZH do të  bashkëpunoi me Qeverinë e Kosovës në fuqizimin e sektorit privat dhe në financimin e investimeve publike në bazë të propozimeve të Komitetit Kombëtar për Investime. Kosova ka potencial të madh që përfitoi shumë më tepër nga BERZH-i sesa ka pasur deri më tash. Për të arritur këtë nivel të bashkëpunimit dhe për të fuqizuar këtë, propozoj që ne të kemi përfaqësuesin tonë në Konstituencën e BERZH-it ku jemi bashkë me Danimarkën, Lituaninë dhe Irlandën, dhe duke pasur parasysh këto propozoj që z. Berat Havolli që është shef i Divizionit në Departamentin e Politikave Ekonomike në Ministrinë e Financave të emërohet përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në Konstituencën e BERZH-it, që t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në identifikimin e projekteve dhe në zbatimin e plotë të Memorandumit që është nënshkruar në maj të këtij viti”, tha ministri i Financave.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe vendimi për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Ekologjia” Sh.A. Graçanicë, mori miratimin e kabinetit qeveritar, e cila do t’i kryej këto veprimtari: mbikëqyrjen e tregut, shërbimet funerale, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, fushat sportive, ndriçimin publik etj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka informuar kabinetin qeveritar për proceset që po zhvillohen  rreth arbitrazhit për çështjen e AXOS-it. Ai njoftoi në pika të shkurtra për hapat që do të ndërmerren deri në muajin shtator.

“Mbrojtja e Republikës së Kosovës e paditur nga AXOS kapital GMBH për procesin e privatizimit të PTK-së në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit është në fazën e përgatitjes së raportit të dytë kundërshtues ndaj paditësit AXOS. Lidhur me këtë raport nga data 10-12 korrik janë mbajtur takime ndërmjet avokatit tonë me dëshmitarët që do të jenë prezentë në seancë, takimi me ekspertin ligjor dhe me përfaqësues të telekomit, si dhe është bërë mbledhja e fakteve shtesë të nevojshme për këtë fazë. Afati për dorëzimin e raportit kundërshtues dhe dëshmive të dëshmitarëve është 1 shtatori 2017, ndërkaq seanca dëgjimore në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit është e paraparë të mbahet në nëntor 2017.

Në mënyrë të përmbledhur hapat e ardhshëm gjatë kësaj periudhe nga qershori e këndej: Pra me 16 qershor AXOS ka paraqitur përgjigjen e tij mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin, ndërkaq gjatë kësaj periudhe avokati ynë ka bërë mbledhjen e dokumenteve dhe përgatitjen e deklaratave të reja të dëshmitarëve dhe raporteve të ekspertëve. Më 1 shtator ne do të paraqesim kundërshtimin mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin. Më 29 shtator 2017 AXOS do të paraqesë kundërshtimin e vet vetëm mbi kompetencat dhe pranueshmërinë, ndërkaq mes datave 6-17 nëntor 2017 do të mbahet seancë dëgjimore mbi juridiksionin, pranueshmërinë, meritat dhe kuantumin e cila do të zhvillohet në Paris. Ky dëgjim do të duhej të ndiqet nga një përfaqësues i Kosovës dhe të gjithë dëshmitarët dhe ekspertët në të cilët mbështetet Kosova. Gjatë ditës do ta keni një raport të detajuar me të gjithë hapat që kanë kaluar në periudhën e kaluar dhe ato që presin të realizohet në periudhën e ardhshme”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, kërkoi që raporti i cili do të sillet në zyrën e tij të evidentohet dhe t’u shpërndahet të gjithë anëtarëve të Qeverisë.

17.07.2017 12:58
Prapa

Agjenda ditore

24 nëntor 2017

1.Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.

VENDI: Ndërtesa e Qeverisë
KOHA: 09:30

2. Kryeministri Ramush Haradinaj viziton Aleancën Kosovare të Bizneseve.

VENDI: Zyrat e AKB-së (Lagja Tophane)
KOHA: 13:00

Shkruaj Kryeministrit

KOSOVO IN UNESCO