Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Ministrja Edita Tahiri priti në takim ish-ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, Daniel Mitov

shkarko me rezolucion më të madh

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur sot ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Daniel Mitov me të cilin ka biseduar për zhvillimet në rajon dhe perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.


Në këtë takim ministrja Tahiri tha se Kosova dhe Bullgaria janë vende mike dhe përkrahja e Bullgarisë për pavarësinë e Kosovës dhe njohja e shpejtë përbëjnë një vlerë të madhe në marrëdhëniet mes dy shteteve. Ministrja Tahiri tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike dhe përkrahja e Bullgarisë në këtë drejtim ka rëndësi për vendin tonë. 


Ministrja Edita Tahiri e falënderoi z. Mitov për rolin e tij dhe të shtetit të Bullgarisë në forcimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe sidomos mbështetjen për agjendën euroatlantike të Kosovës gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm i Bullgarisë. Ajo kujtoi takimin bilateral që kishte me z. Mitov vitin e kaluar në Sofje dhe pjesëmarrjen e përbashkët në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), organizatë kjo e iniciuar nga Bullgaria.

 

Ajo, po ashtu, theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun për fqinjësi që po zhvillohet në Bruksel, duke potencuar se njohja reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë është faktor përcaktues për një paqe të qëndrueshme në rajon.

 

Ajo shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me diplomatin bullgar Mitov, i cili është i angazhuar nga Instituti Demokratik Amerikan në Kosovë (NDI) në cilësinë e ekspertit të nivelit të lartë politik ndërkombëtar në kuadër të projektit që ka për qëllim mbështetjen e Dialogut të Brukselit. Ministrja Tahiri tha se e vlerëson lartë kontributin e shoqërisë civile të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare për ndriçimin e rezultateve të dialogut dhe përfitimet që nga ky dialog kanë pasur në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët, komunitetet dhe shteti i Kosovës dhe rajoni në përgjithësi. 

 

Nga ana e tij z. Mitov, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bullgarisë duhet të thellohen në të gjitha fushat dhe veçmas në fushën e ekonomisë sepse është në interesin e dyja shteteve. Ai dha vlerësime të larta për rolin e Kosovës dhe të vet ministres Tahiri në kuadër të dialogut të Brukselit, ndërsa tha se dialogu nuk ka alternativë mes vendeve të rajonit për një të ardhme euroatlantike dhe se Kosova ka shënuar progres të madh në këtë drejtim.

 

Prapa

KOSOVO IN UNESCO