10.04.2018

Emisioni Pressing – Kryeministri Ramush Haradinaj

Me datë 11 prill kam dhënë intervistën time për televizionin T7 në emisionin Pressing të Leonard Kerqukit.

Në bashkëbisedimin që zhvillova me këtë televizion, kryesisht u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon, për ngjarjet pas ratifikimit të demarkacionit.Në vazhdimësi mund të gjeni pikat kyqe të këtij diskutimi.

Z. Thaçin dhe Z.Veselin i njoh që nga 1997, mirëpo në punë së bashku me këta jam vetëm që 7 muaj, dhe unë e kam gjetur një shtet të ndërtuar nga LDK dhe PDK dhe këta janë në pushtet që moti, kurse unë që 7 muaj jam në këtë shtet. Që nga periudha që kur e kam marrë këtë punë, unë jam ballafaquar me të gjitha peripecitë që ka pasur ky shtet edhe nga qeverisjet e kaluara. Unë jam deklaruar që nga fillimi kur e kam marrë detyrën, që unë do t’i kryej punët e shtëpisë, në këtë konspiracion që e kemi krijuar.

Arrestimin e Marko Gjuriq e kam monitoruar, dhe në këtë rast është zbatuar ligji i vendit dhe unë kam qenë pro respektimit të ndalesës që i është bërë atij, dhe këtë rast mund ta quaj si zbatim i ndalesës. Unë nuk e kam preferuar një sjellje të tillë të arrestimit, është pak e pakuptimtë, duhet të ketë njëfarë kodi në këtë aspekt, por janë rrethana që kanë ndodhë dhe nuk kemi pasur çfarë të bëjmë.

Për sa i përket deportimit të 6 shtetasve turq, nuk kam qenë i informuar nga asnjë instancë vendore. Të drejtat tona në atdheun tonë ne i ushtrojmë qysh ne mendojmë. Që prej kohës së Skenderbeut, ne jemi në këtë tokë vetëm në të drejtat dhe bindjet tona.

Çështja e taksës rrugore mendoj se nuk ka qenë në rregull, është çmimi i lartë për një familje mesatare të Kosovës.

Lista Serbe e kanë dorëzuar dorëheqjen tyre nga qeveria, por unë nuk e kam pranuar këtë dorëheqje, dhe kam kërkuar nga ata që të ulemi dhe ti sqarojmë ku janë problemet dhe argumentet, pse duhet të ndodhë kështu. Ne nuk kemi mundur të gjejmë gjuhë të përbashkët për demarkacion, ai u votua nga partitë e tjera politike dhe deputetët tjerë. Tani do ta kemi temën e ushtrisë por nuk e dimë a do të gjejmë gjuhë të përbashkët me ta. Në Bordin e Trepçës e kam lënë vendin edhe për tre serbë të veriut.

Unë komunikoj me të gjitha partitë politike në Parlament. Të gjithë kanë qenë korrekt në kohën e disa proceseve, dhe të gjithë kanë thënë që ta mbajë drejtimin dhe ne nuk do të goditim pas shpinës nëse ti e mbron Kosovën, dhe do ti kesh votat e tona deri sa të shkojmë në zgjedhje. Në fillim të muajit maj presim të kemi bisedime më konkrete rreth liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Kjo procedure mund të shkojë deri në 9 muaj, ose në fund të vitit.