27.11.2018

Fjala e kryeministrit Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore kushtuar Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Dr. Hazir Malaj

Prishtinë, 27 nëntor 2018

I nderuar baca Rifat Jashari

Të nderuar baca Halit, nënë e Ilirit, familje e Ilir Konushevcit.

E nderuar zonjë e Hazir Malës, bashkëshorte, djalë, dajë, të gjithë ju

Të nderuara autoritete institucionale të Kosovës

Ish-president Sejdiu, ish-ministër Broka,

I nderuar Gjeneral Rrustem Mustafa,

Komandantë të nderuar

Të nderuara ambasadorë

I nderuar kryetar i Podujevës, Agim Veliu

Të nderuar kryetarë të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë të respektuar, familjarë të dëshmorëve, martirëve

Sot është një ditë e ndjeshme për atdheun, kombin tonë, sepse u deshën 20  e sa vjet që edhe njëherë të kujtohet rruga e vështirë deri në liri, por edhe obligimet ose detyra e pakryera të atdheut tonë, ndaj atyre që u flijuan për liri.

E vërteta është se, sot së pari i drejtohem familjes së doktorit Hazir Mala, duke i falënderuar ata, që ashtu si në ditët e luftës, nuk e lanë Ilirin vetëm. Ata ranë dakord që familjari tyre të pushojë në tokën shqiptare, në atdheun tonë, në Kosovë, në Prishtinë. Ju faleminderit shumë!

Njëkohësisht, një falënderim për bacën Halit, edhe pse ai me mërzitë e veta dhe në vuajtjet e veta, e ka kuptuar drejt një dëshirë të të gjithë neve, që Iliri të pushojë në Prishtinë. Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, edhe në Bajram Curr apo diku tjetër, është në tokën e vet, por këtu në Prishtinë, ai poashtu rikthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut, ku e filloi, jo vetëm krijimin e idesë së luftës, sepse ishte nga të hershmit, nga ata prijatarët që u angazhuar të krijojë idenë e lirisë, idenë e luftës. Pastaj, ishte prej atyre që ndërmori të gjithë ato veprime përgatitore të nevojshme të atëhershme, që të funksionojnë njësitë e para, grupet e para, vepruesit e parë të UÇK-së, por fitoi edhe besimin e besnikëve të atëhershëm, të atyre që ishin mjaftë të njohur në luftën për liri, të komandantit Zahir Pajaziti dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë.

Nuk është një bashkëluftëtar i UÇK-së i atyre viteve të para, të hershme, pra para ’97-ës dhe nuk e di kush, që e ka njohur Ilirin, që se mbanë mend për një djalë shumë të formuar, pra si njeri, si shqiptar, për një bashkëluftëtar, po e quaj ashtu, të lehtë për të punuar me te, pa asnjë pengesë, pa asnjë teprim, ishte çdoherë më i lehti, asnjë vështirësi nuk e ka nxjerrë në punë dhe njëkohësisht kishte mirëkuptim për të gjithë tjetër. Pra, ishte prej atyre, që ishte në gjendje të të dëgjojë me orë, ishte në gjendje të hyjë vetë nëpër ato tema, që nuk ishin të tij, vetëm e vetëm që lufta jonë të ecë në drejtimin e vet, pra në drejtimin e arritjes së lirisë.

Kam pas nderin, që edhe unë, edhe familja dhe shumë bashkëluftëtarë, që të ishim bashkë në ato kohë të përgatitjes, në ato kohë të luftës, sikurse, poashtu e kemi përjetuar edhe rëndë rënien e Ilirit dhe të Hazirit. Ka qenë një goditje e madhe për përpjekjet tona për liri.

Dëshira ime është që porositë më të mira të veprës së Ilirit e të Hazirit, të jetojnë ndër brezat, të jetojnë me fëmijë, tek ata që kanë për tu rrit në Kosovën e lirë dhe njëkohësisht, të gjithë ne të tjetër të punojmë  së bashku që të jemi të bashkuar, për shkak se ashtu sikurse ishte vështirë të arrihet te liria, poashtu është e vështirë të ruhet ajo.

Forcimi i Lirisë, bëhet duke forcuar të gjithë ato shtylla të jetës sonë, ato shtylla kanë një emër për Kosovën tani, janë institucionet, është shteti, është ushtria që mbron vendin dhe kuptohet jemi gjithë ne të tjerët që e duam atdheun.

Sado pak sot, kemi të drejtë, pas këtij veprimi, që atdheu ia ka borxh Ilirit, kombi ia ka borxh Ilirit dhe Hazirit, i cili vjen prej një familje atdhetare dhe me vetëdije të lartë kombëtare ndër breza, të ndihemi të lehtësuar, se një borxh e përfunduam ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë.

Kisha folur me orë të tëra, por e di që është rëndë për të sjellë para jush kujtimin për Heroin tonë, për Ilir Konushenvcin, për Heroin tonë, për Hazirin, sikurse është për të sjell kujtimet për ata që kanë rënë për liri, po përulem me respekt.

Lavdi e përjetshme!