14.12.2018

Fjala e kryeministrit Haradinaj, në ceremoninë shtetërore pas miratimit të tre Projektligjeve, që ndërlidhen me transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës

Prishtinë, 14 dhjetor 2018

I nderuar president i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, z.HashimThaçi,

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,

Të nderuar ish-presidentë Sejdiu, Jahjaga,

E nderuar kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi

Shumë i respektuar baca Rifat Jashari

I nderuar kryetar i Akademisë, Daci, profesorë të nderuar

I nderuar ministër i Mbrojtjes, gjeneral Berisha,

I nderuar komandant i ushtrisë sonë, gjeneral Rama, gjeneral Çeku, të gjithë ju që iu shoh,

Njëkohësisht të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministra Limaj, Hoxhaj, Gashi

Të nderuar ministra,

Të nderuar deputetë,

Kryetarë të komunave

Familjarë të tjerë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë

Partnerë tonë që iu shoh në mesin tonë

Të respektuar ushtarë e oficerë

Rreshti, është fjala e parë që e mëson kur nisesh ushtar. Kushdo që i ka rënë rrugës së ushtrisë, ka dëgjuar për rreshtin. Rreshti për ne ka qenë i mohuar. Qe mijëra vjet të tjerët janë bërë rresht, vetëm ne nuk na kanë lejuar të bëhemi rresht. Jemi bërë rresht në të gjitha ushtritë e botës. Kemi lënë nëm nëpër botë, por na u ka mohuar e drejta të jemi në rreshtin tonë.

Merreni me mend, populli më i vjetër në Ballkan, mezi, i fundit, po mbërrijmë në rresht, në rreshtin e tonë e me rreshtin tonë, po hyjmë në rreshtin e ushtrive të paqes së botës.

Kjo, nuk na bënë më të pazot që jemi të fundit, për faktin se duke qenë jashtë rreshtit, asnjëherë nderi ynë nuk është vënë në pikëpyetje.

Ne nuk sjellim asnjë turp për vete, për popullin tonë, qoftë si ushtarë, qoftë si luftëtar I të gjitha kohërave.

Por, ajo që është me rëndësi sot, ne po vijmë në paqe. Pra, po hyjmë në rresht të fundit, por ushtria e fundit, u rreshtua me ushtritë e paqes, por po vijmë në paqe.

Porosia që e qon Kosova sot, paqen e kemi fituar me shumë dhimbje, për paqe na kanë ndihmuar aleatët tanë, jemi të fundit që kemi mbërri në paqe, të fundit do ta lëmë paqen.

Nuk mund të na heq më askush nga rreshti I ushtrive të paqes.

Kush I prinë këtij rreshti të ushtrive të paqes. i prinë Amerika. Amerika i prinë rreshtit të ushtrive të paqes në botë dhe ne e kemi për nder me u rreshtua edhe si popull edhe si ushtri pas Amerikës. Sot e përmot.

Populli dhe ushtria jonë do të jetë besnike e miqve tanë dhe po ia marr një thënie gjeneralit Mattis, që ka thënë për marinsat: “Ska mik më të mirë se marinsin, por s’ka as armik më te keq”. Nuk ka mik më të mirë se FSK-në, por s’ka as armik më të keq se FSK-në.

Ushtarët tanë të Kosovës, sot, janë shumë të gëzuar, por, besoni, sot janë gëzuar edhe varret edhe të gjallët.

Për të mos shkruar nëpër të gjithë brezat prej ku kemi filluar të rrugëtojmë, atëherë po ndalem në të fundit. Edhe ushtarët e Ibrahim  Rugovës janë gëzuar sot, por janë gëzuar edhe ushtarët e Adem Jasharit.

Ne, me guxim do ta mbajmë veten në drejtimin më të drejtë që ekziston. Cili është I drejti? Është, që të përkushtohemi për ta mbrojtur paqen.

Nuk do të fillojmë dhe nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtëse dhe nuk do të veprojmë që ushtria jonë asnjëherë të kthehet kundër popullit të vet.

Këtë e dinë ata që jetojnë rreth nesh e me ne, komunitetet, që sa shumë janë të respektuar prej shqiptarëve.

Kurrë, ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër askujt, jo kundër popullit të vet, jo kundër serbëve. Serbët, si në jug, si në veri, janë njerëzit e këtij vendi. Ushtria është e tyre. Ata kanë për të shërbyer në këtë ushtri dhe jo vetëm ata, por të gjithë që jetojnë në Kosovë.

Njëkohësisht, ne nuk kemi ardhur te rreshti, që ne tash , të fundit, të rrezikojmë paqen. Paqja na ka munguar gjithë. Ne kemi ardhur te rreshti për të ndihmuar paqen dhe ftojmë në partneritet për paqe ushtritë e rajonit.

Po ia filloj nga ushtria e Shqipërisë, e ftojmë në partneritet. Edhe atë të Malit të Zi, edhe të Maqedonisë, por dëshirojmë që të kemi partneritet për paqe edhe me ushtrinë e Serbisë, ashtu siç dëshirojmë që një ditë të kemi paqe me Serbinë.

Po ndalem me këtë të fundit: Zoti e bekoftë ushtrinë e Kosovës!