31.05.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në Akademinë Përkujtimore në ditën e rënies së Heroit, Xhemajl Fetahaj

Prishtinë, 31 maj 2018

Të nderuara familje të dëshmorëve,
E nderuar familje e heroit Xhemajl Fetahaj
E nderuar familje Shala, të gjithë ju prezent, familjarë të dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Bashkëluftëtarë të gjallë, i nderuar Ministër, gjeneral Rrustem Berisha, bashkëshortja e Agim Ramadanit, deputetë të nderuar, bashkëluftëtarë, oficerë të ushtrisë sonë, dhe të gjithë prezent, faleminderit, e nderuar bashkëshorte e Xhemajlit.

Janë tre emra që bëjnë historinë tonë në mënyrën e vet, tre emra të pandarë Agim Ramdani, Sali Çekaj e Xhemjal Fetahaj. Pse janë tre emra, pse janë të pandashëm dhe pse e bëjnë historinë në mënyrë e vet?! Vijnë nga drejtime që i ka nxjerrë jeta dhe bashkohen në një qëllim, në një vend, në një betejë, në një epope që e bënë historinë e Kombit të tyre. Bashkohen në Koshare dhe aty që të tre flijohen për lirinë e atdheut të vet. Kemi shumë njerëz që janë flijuar për atdhe, por “Epopeja e Koshares”, dhe këta tre burra e japin një pamje të atdheut të tyre në mënyrën e vet. Që të tre secili veç e veç.

Të gjithë dëshmorët e Koshares, mbi 100, janë bijtë e këtij vendi dhe të popujve tjerë, por ata ua rritin pikërisht jo vetëm namin, por edhe dimensionin e flijimit komandanteve të tyre.

Kam pasur rastin të jem një kohë bashkëluftëtare me Xhemajl Fetahaj. I kem njohur familjaret e tij, njerëzit rreth tij dhe nuk kam asnjë dilemë se ai nuk ka qenë i denjë të jetë në krahë me Agimin e Salihun. Ai i ka përmbushur parametrat e një luftëtari shqiptar, një komandanti të luftës tonë, një patrioti që në momentet vendimtare është aty ku duhet.

Kanë kaluar kohë, kanë kaluar vite dhe në vazhdimësi ne nxjerrim nga e vërteta e luftës tonë, nga të arriturat dhe nga ato elemente që na ndihmojnë të rrugëtojmë sot. Por nëse vetëm pak respektojmë shembullin e tyre, rruga e atdheut tonë, e ardhmja e popullit tonë do të jetë e ndritur.

Ne kemi vetëm një të ardhme që të jetojmë të lirë, një të ardhme që të jetojmë në demokraci. Dhe ne i takojmë vetëm një familjeje, asaj perëndimore, euroatlantike, pra anëtarë e BE-së dhe e NATO-s dhe kemi vetëm një perspektive në botë, t’i qëndrojmë besnik atyre që ishin besnik me ne në kohërat më të vështira të rrezikut tonë, Amerikës.

Nuk e themi këtë sepse sot na duhen për përditshmërinë politike, por këto fjalë e kanë vendin pikërisht këtu sot kur i përkujtojmë njerëzit më të zot të atdheut tonë që kanë rënë për lirinë tonë. Sikur të mos ishte ky flijim, sikur të mos ishte ajo ndihmë ne nuk do ta kishim lirinë.
Ne sot dhe çdo herë në jetën tonë rrugëtimin tonë duke u shërbyer me këtë shembull mund ta garantojmë të drejtën ton që të jetojmë të lirë, në demokraci dhe t’i takojmë familjes së popujve të lirë euroatlantik dhe ta forcojmë miqësinë me Amerikën.

Unë e kam për nderë që si mik i bashkëluftëtareve mund ta nderoj sado pak këtë rrugë dhe ju ftojë të gjithëve që të mos I ndahemi kësaj rruge.

Lavdi të rënëve për liri, lavdi Xhemajl Fetahaj!