12.06.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në ceremoninë e zbulimit të pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë

 

Prishtinë, 12 qershor 2018

I nderuari z. John Manza, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s
Ministër Berisha,
Gjeneral Rama,
Gjeneral Cuocchi
Gjeneral Hoffman,

Të nderuar ish-komandant të KFOR-it: Gjeneral Byhler, Kather, De Marnhac
Ambasadorë dhe Atashe ushtarakë dhe veçanërisht familjarë, të afërm të ushtarëve që i nderojmë sot dhe i përjetësojmë në këtë memorial.

Në Ditën e Paqes kujtojmë dhe nderojmë burrat dhe gratë, ushtarë të NATO-s e KFOR-it, që sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Qeveria dhe populli i Kosovës është përjetë mirënjohës NATO-s dhe shteteve që kontribuojnë në KFOR.

Ne jemi popull që shprehim falënderim, nuk harrojmë të kaluarën, dhe duam të kemi të ardhme të sigurt.

Kosova synon anëtarësim në NATO, në organizatën e ushtrive të paqes për të ndihmuar jo vetëm veten dhe rajonin, por këdo dhe kudo që ka nevojë.

Kosova është e gatshme të kontribuojë për sigurinë dhe paqen nëpër botë.

Ky Memorial është një simbol që Kosova ka vendosur për rrugën e vet dhe nderimin ndaj të rënëve në Kosovë.

Ne e mirëpresim qëndrimin e NATO-s në Kosovë.

Liria është vlera jonë e përbashkët: e Kosovës dhe e aleatëve.