04.10.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj, në ceremoninë lamtumirëse të ushtarëve të KFOR-it gjerman dhe shndërrimit të kampit ushtarak gjerman në “Park Inovativ dhe trajnues të biznesit”

Prizren 4 tetor 2018

Për mua është një moment shumë i veçantë në jetën time, përderisa e kujtoj këtë shesh, këtë qytet dhe shtetin tonë në vitin 1999 dhe nevojat e asaj kohe. Pra, them se është shumë i veçantë, sepse sot, kam nderin që në emër të Republikës së Kosovës, Qeverisë e popullit tonë t’i them faleminderit, fillimisht, secilit ushtar gjerman që ka shërbyer në shtetin tonë përgjatë këtyre njëzet vjetëve.

Ju faleminderit të gjithë juve.

Kjo ngjarje sot, është poashtu e veçantë, për faktin se me ne janë miq të veçantë nga Berlini dhe dua të filloj me Sekretarin Silberhorn, me Sekretaren Flachsbarth, komandant Boschwata, admiralë e gjeneralë, të gjithë ju që keni ardhur për të qenë me ne sot – faleminderit. Dua të përshëndes edhe ambasadorin gjerman, Christian Heldt, dhe bashkëshorten e tij Aleksandra., për përkushtimin e avancimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona.

Përshëndetje dhe shumë faleminderit të gjithë ju që jeni prezentë sot, këtu.

Prizreni është kryeqyteti historik i Kosovës dhe në rajonin tonë njihet si qytet historik dhe shpirtëror. Është qytet i vlerave dhe vlerësimit, si dhe vend i njerëzve që dinë të bëjnë dhe të mbajnë miqësitë.

Për këtë arsye, dua t’ju them ushtarëve gjermanë dhe Bundeswehr-it, se sot është dita juaj dhe të jeni krenarë me veten tuaj. Keni shërbyer në emër të shtetit tuaj në një vend përgjatë kohës më të vështirë, keni shërbyer në vazhdimësi dhe falë jush, sot, ky shtet, ky popull, jeton në paqe. Pra, të jeni krenarë, sepse ky është suksesi juaj.

Dua, poashtu, të shpreh mirënjohjen për Gjermaninë dhe mbështetjen e saj të gjithanshme. Si rezultat i kësaj, Kosova, sot, është shtet paqësor, në të cilin shoqëria jonë multi-etnike dhe me religjione të ndryshme, jeton në harmoni. Ne jemi të përkushtuar ta mbajmë dhe ta ruajmë paqen, të cilin na keni ndihmuar ju ta arrijmë. Ju faleminderit që na keni ndihmuar, poashtu, në ngritjen e institucioneve tona të sigurisë, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Investimi juaj është shumë i çmuar. Këtu ndodhen sot kolegët tuaj, që do ta vazhdojnë punën tuaj. E dimë që KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe e dimë që ushtarët gjermanë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, në Bazën Kryesore të KFOR-it. Por, poashtu, jemi dëshmitarë, se kjo është ngjarje lamtumirëse.

Do të vazhdoni të qëndroni edhe për një kohë në kampin ushtarak në Prizren. Por, nga sot fillon edhe transformimi nga kampi ushtarak në Park Inovativ-Trajnues dhe të biznesit. Me këtë, ushtarët le të jenë të sigurtë se flamuri gjerman do të mbetet i ngritur lartë falë shërbimit tuaj të dinjitetshëm, profesional dhe të standardit të lartë dhe do të mbetet I ngritur lartë, sepse shumë nga ne do të kujdesemi që përmes Parkut Inovativ-Trajnues e të biznesit, të vazhdojmë ta mbajmë praninë tuaj këtu.

E shfrytëzoj këtë mundësi, që t’iu bëjë ftesë kompanive gjermane, sepse ky është një vend adekuat për të investuar, Kosova është vendi i duhur për të investuar. Pra, ju lutem, investoni në Kosovë.

Qeveria do të angazhohet fuqishëm që ky kamp, tani park, të kthehet në tregim suksesi. Edhe një herë, faleminderit të gjithëve. Më lejoni, t’ia dorëzoj dekoratën “Harta e Artë e Kosovës”, komandantit gjerman, Hoffman.

Agjenda

Të gjitha