07.09.2018

Fjala e Kryeministrit Ramush Haradinaj në Konferencën e pestë të Ambasadorëve

I nderuari president i Republikës së Kosovës, SHTZ Hashim Thaçi;

I nderuari kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

I nderuari zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli,

I neruar zëvendëskryeministër Hoxhaj,

Zëvendësministra, ambasadorë të nderuar, staf diplomatik i Kosovës, deputetë të respektuar, të dneruar korr diplomatik në Kosovë,

Kosova është një vend me shumë vështirësi dhe në tranzicion. Ky tranizicion i ka edhe dhimbjet e veta, edhe vërtetë beteja për Kosovën ndodhë edhe në Kosovë, por ndodhë edhe në gjithë globin, ndodhë edhe atje ku jeni ju.

Sigurt që edhe atje ku jeni ju, edhe në Kosovë nuk është lehtë beteja për Kosovën. Kosova është vlerë e re e globit, shtet I ri, edhe vetvetiu pozicionimi i Kosovës në planin global nuk është një proces i lehtë për ju, as i lehtë për ne. Sido që të jetë për fatin e vet, Kosova është mirë se ka i qartësi, e qartësinë e ka cilës familje i takon. Kosova është e vendosur t’i takojë familjes euroatlantike, dhe njëkohësisht është e vendosur ta zhvillojë miqësinë me të gjitha vendet mike, popujt që kanë këtë ndjenjë, këtë dëshirë të një miqësie me Kosovën.

Kosova është e vendosur t’i takojë koalicionit, pra të luftës kundër terrorizmit në botë. Kosova poashtu është aleate, besnike e aleateve të vetë, edhe për këtë nuk fshihemi, por krenohemi.

Tani do të ndalem tek sfidat që i kemi në Kosovë, pastaj edhe tek ato që i keni ju për Kosovën. Ne vazhdojmë konsolidimin tonë të brendshëm, që është një proces jo i lehtë, edhe që në raste të caktuara është bërë brutal. Ne sot aprovojmë ligje që na kanë munguar që 17 vjet, Ligji për pagat, Ligji për zyrtarët publikë, Ligji për administratën, pra janë ligje që 17 vjet i kanë, munguar vendit tonë. Por sot po i arrijmë ato. Kuptohet janë vendime që kanë ndjeshmëri të madhe, krijojnë edhe dilema në opinion te profesionistët, dhe do të ketë vështirësi në këto procese përpara, por megjithatë po i bëjmë po ballafaqohemi me të.

Nëse flasim për infrastrukturën, ne po i vazhdojmë projektet madhore, projekte shumë të rëndësishme të infrastrukturës. Sot kisha nderin të vizitojë punimet në autorrugën “Arbën Xhaferi”. Ju siguroj se është një projekt që na bënë krenar është në duar të sigurta dhe në fund të këtij viti jam i bindur se do ta kemi të përfunduar këtë projekt.

Në energji, jo vetëm që e kemi rikthyer prodhimin në Kosovë, nuk ka ndodhur rritja e çmimit, por edhe kemi një projekt serioz para vetës. Investimet në energji në projektin më të madh investues në Kosovë, në termocentralin “Kosova e Re” që është rreth 1.4 miliardë dollarë, mund t’ju duket jashtë modës sepse është me thëngill, dhe ka në Evropë e në ndonjë qeveri që thonë se nuk jemi për thëngjill, por ne nuk kemi alternativë në Kosovë. Nuk kemi zgjidhje dhe nuk i takojmë atyre vendeve që kanë ekonomi të zhvilluar dhe aq mundësi buxhetore saqë ta bazojmë gjithë perspektivën energjetike vetëm në energji alternative ose të ripërtritshme. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë të prodhojmë nga thëngjilli dhe kërkojmë përkrahjen e të gjithëve që një proces kaq madhor të ecë përpara.

Por, ajo që e kemi pranuar, kemi pranuar që ky projekt ta ketë koston më të lartë, por ta ketë teknologjinë më të avancuar në botë dhe ne me këtë investim në energji ne nuk biem ndesh me asnjë parametër që sot obligohen vendet e BE-së, sepe është teknologjia më e pastër që vendoset.

Ky është një projekt i rëndësisë së posaçme, e bënë Kosovën të pavarur energjikisht, të pa rrezikuar dhe e kthen në aleatë më të qëndrueshëm strategjik për aleatë tanë. Do të ecim me këtë projekt.

Ligji për Trepçën ka filluar zbatimin, statuti i Trepçës është në Parlament dhe së shpejti pritet të votohet. Trepça së shpejti do të jetë e aftë të gjejë partner. Kemi vështirësi në resurse dhe kapacitete tjera, në telefoni, por edhe me ato jemi përballur. Do të gjejmë mënyrë që Kosova të mos vazhdoj të mbetet vetëm absorbuese e ndihmës së aleatëve tanë, por jemi partner. Në Kosovë mund të krijohet një vlerë e përbasshket e investitorëve me ne. Vlerë e re është edhe kontributi ynë në luftën kundër krimit transnacional. Imagjinojeni Ballkanin dhe gjithë botën pa ndihmën tonë që duhet ta japim në luftimin e krimit transnacional. Ballkani është i mëndur edhe si vend tranzit i krimit, edhe si burim, por edhe si destinacion. Pse Kosova të mos jetë anëtare e INTERPOL. A e din kush humb kur anëtarësohet Kosova në INTERPOL, krimi transnacional, askush tjetër. Është logjikë më e gabuar e Serbisë me pengu anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Si ka mundësi një shtet normal ta pengoj anëtarësim e Kosovës në INTERPOL, sepse me këtë anëtarësim vetëm krimi transnacional do të humb e do të fitojmë të gjithë.

Ne po shkojmë në tranzicionin e FSK-së në ushtri. Jemi të gatshëm, i kemi kryer të gjitha proceset paraprake të rëndësishme për këtë tranzicion. Ne i falënderojmë KFOR-in, NATO, qeveritë veç e veç, atashetë ushtarak, janë shumë që kanë kontribuar që FSK të jenë ndër format më të vlerësuar në rajon. Pyetni ushtarakët e NATO-s të të gjitha vendeve që kanë shërbyer në Kosovë për FSK-në tonë dhe për forcat e rajonit. Secili prej tyre do të thotë “ qëndroni më përpara”. Ne jemi të gatshëm për këtë tranzicion.

Pse ky tranzicion është i nevojshëm?. Për faktin se të gjithë parametrat e nevojshëm janë arritur. Është krijuar besimi te serbët e Kosovës. Qytetarët serbë të Kosovës i nënshtrohen presioneve të mëdha të mos mbesin në FSK. Megjithatë ka serbë të Kosovës, të ri e të reja të veriut që vazhdojnë të mbesin pjesëtarë të FSK. Familjet e tyre i besojnë në FSK dhe gjithë Kosova beson në FSK.

Me këtë tranzicion ne kthehemi në partner, nuk jem vetëm një vend që kërkojmë. Mirëpresim misionin e KFOR dhe NATO-s përjetësisht në Kosovë, por ne dëshirojmë po ashtu ta kthejmë nderin që na ka bërë bota, që na ka ndihmuar të ndalet tragjedia, të ruhet paqja, siguria, që ne të jetojmë e të zhvillohemi e një ditë edhe ne të kontribuojmë . Ka ardhur dita që ne t’ia kthejmë ndihmën NATO-s.

Së fundi dialogu, nuk ka alternativë. Ne e kemi provuar mënyrën tjetër, luftën. Nga lufta kemi dal. Rikthimi në luftë është i pamundur. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje, duhet të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Kur themi ne, themi Kosova me popullin e vet, me Kushtetutën e vet, me territorin dhe kufijtë e vet.

Nëse ne eksperimentojmë me vetvete, atëherë bëjmë hapa mbrapa. Jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk do të bëjmë eksperimente me vetveten, por jemi të hapur të arrijmë marrëveshje me fqinjin tonë. Unë e di që ju me vështirësitë e juaj përveç që ankoheni se ne nuk ju dërgojmë instruksione e që mendoj se nuk keni të drejtë, ambasadorë të nderuar.

Mendoj se është i pazoti ai ambasador, apo ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqar ose qyqare. E pse e them këtë!?. Sepse mediat e sotme, teknologjia ka mundësuar dhe ju mund ta shihmi takimin e qeverisë direkt, ju mund t’i përcillni 20 e sa tema të takimit të qeverisë. A e kuptoni se çka po ju flas. Është marre të thoni se s’po dërgon Prishtina instruksione. Si s’ju vjen marre. Ju mund ta shihni direkt seancën e Parlamentit. Ka instruksione të tjera nëse keni nevojë për to, po ju keni mjaftë nëse doni ta përfaqësoni vendin tuaj. Është e padrejtë ne t’ju lëmë pa buxhet dhe ju të mos mund ta paguani qiranë. Po, kjo është e pakuptimtë dhe duhet të korrigjohet kjo. Por të thuhet se s’ka instruksione atëherë e keni marrë profesionin e gabuar.

Ambasadorët janë krijues, e ndjejnë vendin e vet, i ndjejnë temat e tyre e dinë se për çka është duke luftuar vendi i tyre dhe ata e bëjnë këtë. Unë i shoh ambasadorët e vendeve tjera që janë këtu sa të interesuar janë për proceset e këtij vendi, sa shumë mësojnë dhe sa shumë dinë, dhe sa janë të zotë t’i ndihmojnë vendet e veta. Atëherë edhe ju bëni të njëjtën, interesohuni për vendin tuaj, përcillni proceset, temat. Ju siguroj se keni mjaftë që ta paraqitni Kosovën te këto vende.

Ne jemi një koalicion qeverisës i përgjegjshëm dhe komunikojmë mirë ndër institucionalisht, punojmë afër me zëvendëskryeministrin dhe ministrin Pacolli, e shoh shumë të angazhuar për ta ndalë ofensivën diplomatike të Serbisë kundër nesh. E shoh në luftë duke e ndalë këtë, me kohë, me resurse, me mundësi, shumica prej të cilëve nuk janë të publikut, janë personale andaj ju lus edhe juve mos pritoni, kryejeni punën si duhet.

Agjenda

Të gjitha