05.04.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në konferencën me temë, “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”


Prishtinë, 5 prill 2018

Të nderuar nikoqirë, Naim, Labinot,
Ambasador i Norvegjisë, faleminderit që na keni bashkuar,
I nderuar president z.Thaçi,
I nderuar z.Kurti,
Ambasador Delawie,

Nuk dua ta ndajë askënd, faleminderit të gjithëve që janë bashkë. Tema është e rëndësisë, edhe pasha e kësaj teme dihet më, pa dashur me qenë mysafirë jo i mirë, nuk patëm nevojë për krejt detajet e Labinotit, se na i keni dhënë me shkrim, na i kishit kursyer 5 minuta minimum, por megjithatë nuk është kjo një kritikë e keqe, po mendoj ky është vetëm një mendim për të ardhmen, që jemi shumë njerëz dhe kemi detyra, që duhet ti vazhdojmë pikërisht për këto pse jemi mbledhë sot, ndërsa më lejoni fillimisht ti drejtohem familjarëve të Rezallës.

Sot është përvjetori i masakrës të Rezallës, 98 njerëz i kujtojmë sot, gjatë gjithë kësaj jave që shkoi ka pasur nga një masakër, ose e Krushës, ose e Celinës, ose e Pastaselit, ose e dikujt. Pse po e cek këtë? Jo që unë mendoj që dikush këtu nuk e dinë këtë fakt, por mos harroni se Kosova ka ardhur këtu përmes një dhimbje shumë të madhe, edhe është Kosova ajo që e ka tejkaluar veten për me i dhënë epilog një situate, pra nuk është një incident, një ditë, një akt, por janë plagë që janë në zemër, në mendje dhe ndjenjat e plotë njerëzve.

Edhe Kosova, institucionet e Kosovës kanë bërë krejt provat që janë në gjendje për të tejkaluar çdo gjë me ecë përpara. Atëherë, çka ka munguar në këtë proces që u bë dy dekada që s’po mbyllet dialogu Kosovë- Serbi, nuk ka munguar Kosova sigurt jam, kush ka munguar në këtë rast? Kanë munguar në këtë rast ata që janë vendimmarrës. Sipas bindjes time një energji e madhe e Uashingtonit për me e ndalë luftën, që ka ekzistuar, është transferuar, është deleguar tek evropianët. Evropianët qysh janë të ngadalshëm, e kanë kohë e janë të ndarë, e kanë marrë ngadalë këtë proces. Janë bërë dy dekada, nuk është mbyll dialogu Kosovë-Serbi , është e pakuptimtë, pra është diçka më e çuditshmja që ka mundur me ndodhë dhe, nëse ne nuk e themi hapur që për Kosovën është e papranueshme kjo gjendje edhe nëse nuk ju themi evropianëve që nëse jeni të zotë po e mbyllim, nëse nuk jeni të zotë tregoni, sepse ne ecim rrugës tone, ose ne po e ftojmë kush është i zoti të na ndihmojë.

Kemi për të vazhduar gjatë kështu. Kosova duhet me qenë shumë e afërt me ju tregu që ku është problemi, pse janë bërë dy dekada, në Ballkan, në Evropë e kanë mbetur punët kështu siç kanë mbetur dhe për bindjen time neve nuk duhet të na vijë turp, as të mërzitemi për t’ua thënë shumë hapur, nëse nuk keni kapacitet kërkoni ndihmë. Pra, nëse Brukseli zyrtar s’ka kapacitet për ta mbyllë këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse prapë nuk donë të kërkojnë ndihmë, të na tregojnë neve çka të bëjmë, edhe ne shkojmë në drejtimin tonë. Siç kemi ditur të shkojmë më herët në të kaluarën, kemi ecur me punët tona. Unë për kaq muaj sa jam në Qeveri, e shoh, pra e ndjej që nuk përputhet energjia e Brukselit, me çështjen e mbetur hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të ndryshojë diçka në këtë matematikë. Sa i përket marrëveshjeve që kanë ndodhur, disa prej tyre janë zbatuar, edhe janë disa rezultate reale, disa të tjera ngecin, siç është Marrëveshja e Energjisë. Këtu shihet dobësia e Brukselit zyrtar. Për shembull, Brukseli zyrtar lejon që të bëhen plotë veprime joligjore në Energji, në Veri, rreth Kosovës, në Investime, në Transmision, të gjitha këto dhe nuk e ka një fuqi me ia thënë Beogradit që nuk ke të drejtë për ta bërë një veprim të tillë. Ne humbim kohë, veprojmë, punojmë, në fund duhet të shkojmë të marrim para nga buxheti, në mënyrë që të mos lejohet degradimi i gjendjes më tutje.

Tash i kam kërkuar BE-së 4 milionë, se si të ta mbijetojmë gjendjen edhe një kohë, pra, ky është pozicioni që e thamë dhe jam i bindur se nëse nuk e qesim në tavolinë do të vonohemi. Mos gatishmëria e dikujt me e marrë rolin, nuk do të thotë që e ndalë Kosovën. Ka pasur edhe etapa të tjera kur vendimmarrësit nuk e kanë pasur këtë gatishmëri, por Kosova ka ecur rrugës së vet dhe nuk duhet të mendojmë që ne do t’i presim kur kanë kohë. Është bukur gabim me logjiku kështu. I kryejmë ne dikur të gjitha temat e vijmë tek ju, e më mirë është me hy në këtë temë me e mbyllë se është duke shkuar vështirë. Është duke shkuar rëndë.
Kemi plotë vështirësi funksionale që hetohen, edhe të brendshme. Finalja është marrëdhëniet që kanë dy shtetet që e njohin njëra tjetrën. Nëse provojmë të bëjmë shumë kreativitet veç çka bëhemi më konfuz prapë, veç çka e zgjedhim një pjesë të caktuar të problemit edhe e lëmë problemin më tutje mbi ne.

Finalja është një, është njohja reciproke, duhet me ndodh. Kush e ka guximin të ndihmojë, le të ndihmojë, ose fuqinë, ose ka ndonjë instrument. Kush nuk e ka duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde. Kur i thua Kosovës shko rrugës tënde, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet me e vetë veten a mundemi me ecë kështu siç jemi apo çka po bëjmë. Pra, duhet të vijë një ditë me na tregu dikush vendosni për vete, ky është një realitet që do ta kuptojmë. Pra kanë kaluar dy dekada, 20 vite në Evropë edhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun, deri kur? Ky është realiteti. Unë mendoj që dalja në dialog, është një unitet politik institucional, pra dalja për Kosovën, duhet të ketë dialog, por duhet të ketë unitet politik institucional, në këtë rast mendoj që të gjithë udhëheqësit politikë është mirë me qenë pjesë e dialogut.
Ju faleminderit.