17.09.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës në takimin e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë

Prishtinë, 17 shtator 2018

Është me rëndësi të theksohet substanca e marrëdhënieve tona dhe pastaj mund të kalojmë edhe në kompletimin e punëve, veprimeve dhe sfidave. Është shumë me rëndësi të theksohet, se qytetarët e Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike e fetare, konsiderojnë veten evropian, si dhe qëndrojnë dhe mbështesin integrimin evropian të vendit tonë.

Në këtë fazë të hershme, kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së, por besojmë se ky është vetëm fillimi dhe jemi të angazhuar për anëtarësim të plotë në BE. Me seriozitet e kemi marr agjendën, e cila është pjesë e programit qeveritar. E kemi integruar me prioritetet e marra nga MSA-ja, përmes planit të ERA-s dhe mund të konfirmoj se në fund të tetorit do të përmbyllen prioritetet e para dhe do të vazhdojmë me fazën e dytë të ERA-s, së bashku. U jemi mirënjohës të gjithë juve për votën tuaj pro për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Shpresojmë se në këtë dinamike do të qëndrojmë së bashku në trialogun ndërmjet Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit. Ne i dimë detyrat tona. Fuqizimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të qëndrojmë të fokusuar në planin tonë të punës dhe veprimeve këtu. Në këtë drejtim, mund të llogaritni në ne.

Ne po punojmë në mënyrë substanciale në fushën e sundimit të ligjit, jo vetëm përmes lëndëve të shënjestruara, por përmes konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Nuk duam të jemi vetëm konsumues të sigurisë.

U jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë ndihmuar, NATO-s, EULEX-it dhe për tërë mbështetjen që kemi marr. Por, tani ka ardhur koha, që ne të jemi edhe ofrues të sigurisë. Transformimi i FSK-së në ushtri është në shërbim të kontribuimit për sigurinë.Duke u bërë anëtare e NATO-s, ne synojmë të kontribuojmë për sigurinë në rajon dhe më gjerë. Mund të vazhdoj me një listë të gjatë, që dëshmon se jemi evropianë, jo vetëm sa ju përket marrëdhënieve me ju, por edhe me fqinjët tanë. Ne punojmë mirë me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë. Ne jemi shumë të interesuar ta shohim suksesin e Maqedonisë në referendumin për emrin.

Kur është në pyetje Serbia, ne jemi të interesuar për njohje reciproke përmes marrëveshjes së detyrueshme ligjore. Kjo njohje nuk duhet të jetë temë e korrigjimit apo lëvizjes së kufijve. Ajo që quhet korrigjim, është një mënyrë për t’u kthyer në të kaluarën tragjike. Ajo që duhet të arrijmë së bashku dhe që shpresojmë të ndodhë ndonjë ditë, është një marrëveshje paqeje. E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë. Ky është kontributi më I madh që mund të japë vendi ynë.

Unë plotësisht e mbështes dialogun dhe jam i interesuar të arrihet një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo përmes territoreve, jo përmes kufijve, jo duke I bërë thirrje të kaluarës sonë tragjike.

I bëjmë thirrje secilit vendimmarrës në Evropë dhe më gjerë, të mos lejojnë që procesi të shkojë në drejtimin e gabuar dhe që të jenë në kohë për të thënë jo, sepse në të kaluarën vonesat kanë kushtuar me jetë të njerëzve. Ne nuk jemi të interesuar të shohin rajonin dhe Ballkanin të kthehen mbrapa në atë kohë të tragjedive.

Ne jemi të ndarë këtu në Parlamentin tonë, pozitë-opozitë, parti të ndryshme, kemi komunitete të ndryshme, Listën Serbe. Kur vjen puna te agjenda evropiane, gjithmonë do ta gjejmë mënyrën që të jemi bashkë. Qytetarët e Kosovës presin nga ne që të bëhemi të gjithë bashkë dhe të sigurojmë perspektiven evropiane të vendit tonë.

Agjenda

Të gjitha