12.06.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për nder të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

I nderuar kryetar i kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli,
Të nderuar deputet të Republikës së Kosovës pra të kuvendit tonë,
I nderuar president i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta,
Nënkryetare e kuvendit të Shqipërisë, I nderuar kryetar i kuvendit të Republikës së Maqedonisë z.Talat Xhaferi,
I nderuar dhe shumë i respektuar z.Baca Rifat Jashari,
I nderuar kryetar i Prizrenit z. Haskuka , Zëvendëskryeministër Hoxha,
Ministra të nderuar dhe të gjithë që janë prezent sot që nderojnë këtë akademi, pra në këtë seancë solemne të kuvendit të Republikës së Kosovës në emër të 140-vjetorit të lidhjes shqiptare të Prizrenit. Ju faleminderit Kryetar për mundësinë që në këtë seancë solemne t’ju drejtohem me pak fjalë.

Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohërat e vështira, shqiptarët duhet të punojnë gjithë për ditë të vështira, se ato një herë apo njëherë tjetër vijnë. Burrat e dheut të asaj kohe, shqiptarë kudo që ishin, shihet se kishin menduar ndër vite se mund t’u vije ajo ditë. Edhe Ymeri, Abdyli, Sulejmani, por edhe shumë tjerë, që nuk ishin fizikisht në Lidhjen e Prizrenit, shihet se kishin menduar për atë ditë. Kishin punuar që në ditën e caktuar edhe shqiptarët ta japin përgjigjen e vet për të drejtën e vet, pra për të drejtën e organizimit në vetvete.

E fillova me këto me thënë që edhe sot dhe për mot duhet të punojmë për një ditë të këtillë, dhe në atë ditë duhet të gjithë të jemi aty që ta japim provimin tonë.

Por si bëhet puna për atë ditë të krijimit të vlerës së re nëse ne e pajtojmë me të tashmen, me ekzistuesen. Ju siguroj që do të na mungon, nuk do të na dalë mjaft si e tillë për ditë të vështira. E tashmja, ekzistuesja mjafton për gjendjen e zakonshme, por për një ditë të caktuar, për një ditë të madhe kërkohet më shumë.
Bota e përparuar e ka ngritë në kult, një shprehje, vlerë të re, krijim i vlerës së re. Ata që janë në ekonomi e dinë për çka po flas. Pra krijimi i vlerës së re ekonomike e për ne që përfaqësojmë interesat e , popullit, vlerë e re me të gjitha përgjegjësitë qeverisëse, vlerë e re në rend dhe ligj, vlerë e re në siguri, pra vlerë e re e shtuar, vlerë e re në krejt ato parametra që na bëjnë ne të respektuar dhe të pranuar prej të gjithëve. Kësisoj në ditën e duhur mund ta japim provimin.

Ju siguroj se te shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë mungesë të atyre që do të mendojnë për fatin e vet, për të drejtën e vet në të gjitha kohërat. Edhe sot i kemi kohërat e ndjeshme.

Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi po synohet të kthehet në pazare të reja politike dhe kjo është e padrejtë të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme për tu përmbyllë një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e ‘99-tës, lufta e cila i ka lënë Kosovës shumë plagë, masakra e masakra, njerëz të pambrojtur të vrarë, shkatërrime e shkatërrime, e edhe këtë objekt të djegur nga prapa, e vetmja mënyrë me u mbyllë është me një pajtim mes shqiptarëve e serbëve, me një njohje mes Kosovës dhe Serbisë, pa pazare të tjera të dyta në dëm të shqiptarëve. Përndryshe, shqiptarëve nuk ju mbetet rrugë tjetër përpos me të vazhdojnë të krijojnë vlerën e re të vetën të munguar në vite e në shekuj. Lavdi të gjithëve që na kanë nderuar duke na lënë një trashëgimi si ajo që e kemi për të drejtën tonë Lidhjen e Prizrenit, Lavdi të gjithë tjerëve që kanë rrugëtuar deri këtu në këtë ditë,
Faleminderit.