20.08.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në Seminarin e 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Prishtinë, 20 gusht 2018

Të dashur studiues të shqipes,
Profesorë të nderuar e të respektuar nga Kosova, që gjithë jetën ia keni kushtuar shqipes,
Të dashur studiues nga e gjithë bota, që jeni prezent sot në Prishtinë,
Të nderuar të pranishëm,
I nderuar profesor Paçarizi

Edhe për mua si kryetar i Qeverisë, është nder dhe moment i posaçëm që të them pak fjalë në seminarin e 37-të të Shqipes, pra të Albanologjisë në Kosovë.
Në kohërat e errëta të jetës tonë, në kohëra të rënda të jetës tonë, një dritë është shpërndarë prej këtu, një dritë e shqipes në botë dhe atë jo nga ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin më për së afërmi dhe të transmetojnë shqipen dhe shqiptarët te popujt tjerë.

Diçka e mrekullueshme, diçka shumë e çmuar, diçka për të cilën të gjithë ne shqiptarët kudo që jemi, çdoherë dhe gjithë jetën u jemi mirënjohës studiuesve të shqipes nga popujt dhe vendet tjera, që kanë ardhur dhe kanë qëndruar me ne, që janë njoftuar me shqipen e shqiptarët dhe i kanë njoftuar të tjerët me shqipen dhe shqiptarët.

Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e veta të zhvillimit të vet, qoftë si gjuhë, qoftë si kulturë, qoftë si komb, në rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, por një gjë nuk ka ndryshuar, jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi.

Gjuha jona është prej më të hershmëve në botë dhe njëkohësisht është e pasur dhe si e tillë e meriton që ta njohin më shumë, meriton që sa më shumë studiues ta njohin për së afërmi.

Shqiptarët janë njerëz të mirë, janë poashtu popull që meritojnë për t’i njohur, ata që na njohin vet dinë shumë më shumë për ne dhe ne s’duhet të ndalemi.

Qeveria e vendit, jo vetëm tash por çdoherë duhet t’i jep përkrahje seminarit të shqipes dhe të gjithë atyre që e bëjnë të mundur që shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiuesit nga e mbarë bota.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!