26.05.2018

Fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, në Tiranë


Tiranë, 26 maj 2018

Jam krenar të jem këtu, por poashtu ndjej trysni, sepse jam ftuar si “një nga ne”, të rajonit, të një rajoni që ka një të kaluar tragjike dhe me këtë rast nuk po flasim për një të kaluar të largët, por për një të kaluar të freskët, para dy dekadash. Do t’i paraqes këtu disa nga bindjet dhe ndjenjat e mia, por para kësaj, më lejoni të falënderoj Fatmir Mediun, i cili nuk po dorëzohet në emër tonin. Ka bërë një punë të shkëlqyer duke na bashkuar sot këtu, jo vetëm që ta duam njëri-tjetrin dhe fqinjin, por edhe të na duan fqinjët tanë dhe bota.

Dua në veçanti ta përshëndes Maroccon për praninë e tij këtu. E di që të kalosh oqeanin për të qenë me ne, nuk është e lehtë. Faleminderit për kohën dhe nderin që na bëni. Dua të përshëndes edhe gjithë të tjerët në këtë dhomë, sepse të gjithë ju vleni dhe të gjithë ju jeni shumë të rëndësishëm, jo vetëm për atë që po diskutojmë sot, por poashtu për atë se çfarë duhet të jetë e ardhmja për të gjithë ne.

Unë, personalisht, kam një histori të veçantë. Shpeshherë kam qenë anën tjetër, por isha i bekuar të isha në tavolinë, poashtu, që do të thotë se dikur isha në anën tjetër si armik, por e kam pasur edhe mundësinë të jem në tavolinë si mik e partner. Kështu që, i njoh të dyja përvojat. Dua t’ju sjellë përvojat personale, por me një pyetje gjithashtu.

Njoh një serb nga Kosova, i cili ka autoritet dhe është vendimmarrës. Kam pasur mundësinë ta vizitoj në shtëpinë e tij dhe një herë e kam vizituar i shoqëruar edhe nga fëmijët dhe gruaja ime, Anita. Për respekt, edhe ai i solli fëmijët e tij, që të na bashkohen. Pasi fëmijët tanë takuan njëri-tjetrin dhe filluan të flasin e diskutojnë, ia bëra nikoqirit një pyetje. Thash, si mundet që për ty është normale që fëmijët tanë të luajnë së bashku dhe ta njohin njëri-tjetrin, kurse nuk është normale që pastaj këta fëmijë, fëmijët serbë të Kosovës, të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës. Pse, ti dhe unë, nuk e kemi guximin t’i lejojmë fëmijët tanë të kenë të ardhme më të mirë sesa që kishim ne? Sepse, jo larg, vetëm dy dekada më parë, të gjithë ishim në anë të kundërta gjatë luftës. Kështu që e pyeta se a do të ishte i lumtur t’i linim fëmijët ta kenë fatin e njëjtë sikur ne dhe të ndodhemi sërish në dy anë të kundërta apo dëshiron të bëjmë gjithçka që është e mundur, ta marrim një vendim të vështirë, që t’i lëmë fëmijët tanë të jetojnë në paqe.

Po punoj shumë, çdo ditë, për paqe të vërtetë. Paqja është në zemrat e njerëzve, është në besimin e njerëzve, është në thelb. Në vendin tonë, në Kosovë, jam i bindur se nuk jemi vetëm të përkushtuar për paqe, por jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të jetosh në paqe dhe pajtim. Për këtë arsye, i trajtoj, jo vetëm me respekt, por edhe me integritet, kolegët nga të gjitha komunitetet në shtetin tonë, kolegët serbë, dhe pastaj flasim me ta me dyer të mbyllura dhe shumë hapur, por asnjëherë nuk e keqpërdori këtë në publik apo kudo tjetër.

Pra, për këtë arsye, mendoj se pyetjet e hapura nga e kaluara duhet të mbyllen, sepse këto përbëjnë rrezik për ne. Të gjitha pyetjet e hapura në rajonin tonë, duke mos u finalizuar, duke mos u arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, janë kërcënim për rajonin tonë, janë rrezik për fëmijët tanë. Kemi humbur dy dekada, këtu në Evropë. Shpresoj që të gjitha pyetjet tjera të hapura, do të paraqiten nga liderët respektivë dhe do të rezultojnë me zgjidhje nga vet ne si komb, në mënyrë që t’i bashkohemi familjes sonë në Bashkimin Evropian, aty ku edhe përkasim. Zoti na ka bekuar, veçanërisht kombin tim, shtetin tonë më të ri, me lidhjen e posaçme me ShBA-në. Kjo dashuri nuk shërben për t’i bërë xheloz tjerët. Kurdo që e them këtë, e them për shkak se vij nga një shtet ku jeta jonë ishte e rrezikuar, në vitin ’99. Ishim afër zhdukjes dhe të moskthimit më asnjëherë si vend. NATO e udhëhequr nga ShBA-të kanë bërë ndryshimin, që të gjithë ne të mund të riktheheshim dhe të ndërtojmë jetën tonë së bashku.

Pra, ky është betim për të gjithë fqinjët tanë dhe e dini se kam bashkëpunim shumë të mirë me kryeministrin Zaev dhe shpresoj se do t’i tejkalojnë sfidat për emrin; kam pasur mundësinë të komunikoj, por jo në mënyrë thelbësore, me kryeministren Brnabiq; kam marrëdhënie të mira me kryeministrin e Malit të Zi, Dusko Markovic; normalisht që kam bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira me Tiranën zyrtare, me kryeministrin Rama, me presidentin Meta, me kryekuvendarin Ruçi; flasim dhe kemi ndjenja të mira me të gjithë liderët e opozitës. Pra, ta duam njëri-tjetrin në rajonin tonë, që mos të na përsëriten tragjeditë e së kaluarës.
Ju faleminderit!