07.06.2018

Intervista e Kryeministrit Haradinaj dhënë në Koha Vizion në emisionin Interaktiv

Prishtinë, 6 qershor 2018

Me datë 6 qershor kam dhënë intervistën time për televizionin Koha Vizion në emisionin Interaktiv. Në bashkëbisedimin që zhvillova me këtë televizion, kryesisht u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Për Platformën e Dialogut, 53 milionët e Bechtel & Enkas, FSK-në, Kuvendin dhe tema të tjera.

Në vazhdimësi mund të gjeni pikat kyçe të këtij diskutimi.

Partitë politike e kanë keqkuptuar platformën e qeverisë për fazën e fundit të dialogut me Serbinë.

Partitë e kanë vlerësuar joserioze dhe të dëmshme për vendin duke mos i marrë me vëmendje të gjitha pikat e platformës.

Partitë opozitare e kanë akuzuar për dhënien e udhëheqjes së dialogut presidentin Hashim Thaçi, por kjo platformë i ka dhënë kompetencë të plotë parlamentit për ratifikim të marrëveshjes.

Diskutime ka pas më herët për një platformë dhe që ta respektojmë këtë debat e këto diskutime ne morëm veprim si qeveri i propozuam kuvendit platformë. Ka qenë materie mbi të cilën Kuvendi ka mundur ta plotësojë e ndryshojë. Nuk u kuptua drejt nga Kuvendi, pasi partitë nisën një proces paralel të tryezave dhe si rezultat i kësaj vendosa ta tërheqim. Qeveria është e gatshme të kthehet me propozimin e vet, ose me vendos edhe konsulta me partitë parlamentare e me i marrë ato propozimet që dalin nga tryezat. Jemi të hapur. Duam unitet rreth platformës.

Parlamenti e aprovon arritjen e një marrëveshje dhe është neni nëntë që thotë se vetëm Parlamenti e legjitimon marrëveshjen. Kjo ishte thelbi dhe është dashur të shfrytëzohet nga Parlamenti që të marrë përsipër procesin.

Skena politike duhet të merret vesh sa më shpejtë për dialogun dhe të shfrytëzohet “afati kohor para ndryshimeve në BE dhe zgjedhjeve atje”.

Nëse ne tash nuk biem dakord mund ta humbim këtë hap. I lus të gjithë kolegët që të mos mbesim peng i situatave e ta humbim mundësinë për ta nxjerrë atë që është e mirë për Kosovën. Sa i përket pikës që Thaçi të udhëheqë dialogun dhe jo qeveria, mund të them që ai ka përvojë më shumë në bisedimet me Serbinë.

Me Thaçin duhet të jetë një ekip gjithëpërfshirës me anëtarë të të gjitha partive parlamentare si dhe të ketë anëtarë të shoqërisë civile. Për deklaratat e Thaçit se Kosova mund të përballet me kompromis të dhimbshëm, kjo ka qenë gjuhë e joshjes që të bindë serbët për t’u ulur në tavolinë.

Për mua është e dhimbshme se ne duhet të pajtohemi me Serbinë. Duhet të pajtohemi për njohje reciproke. E vërteta nuk mund të zhbëhet. Vetëm për shkak të atyre krimeve të rënda ka ndërhyrë edhe NATO. Pajtimi është kompromisi i dhimbshëm. Por ky pajtim është në të mirë të të dy popujve. Për Kosovën do të hapej perspektiva euroatlantike.

Procesi i dhënies së mandatit të Ushtrisë së Kosovës është në fazën finale dhe ajo do të bëhet së shpejti, qoftë me ndryshime kushtetuese ose me ligj.

“Një proces i dhënies së mandatit të Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese e ka mbërri finalen e vet. Kosova mundet të dërgojë në parlament ndryshimet kushtetuese, por s’e ka votën dhe mundet ta dërgojë si ligj. Tash është çështje e zgjidhjes cilën rrugë dëshiron ta ndjekë Kosova. Është mirë t’ia shpjegojmë partnerëve dhe këtë po e bëjmë. Këtë vit do të mandatohet Ushtria e Kosovës. Është e pashmangshme. Partnerët i kanë ato rezervat për procesin, por ka një kuptueshmëri. Nuk është e përmbyllur andaj e kemi vonuar në respekt të tyre. Edhe ne e meritojmë respektin si Kosovë. I kemi pritur dhe tash është koha të veprojmë. Do të veprojmë në harmoni me partnerët ndërkombëtarë”.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Evropa ka një mirëkuptim për kosovarët sepse janë vendi i vetëm në rajon që s’mund të udhëtojnë lirshëm.

Kemi disa etapa për liberalizim. Vlerësimi që vjen tash nga Komisioni Evropian është tejet i rëndësishëm. Kalon edhe në Parlamentin e BE-së e këshillin e ministrave që japin vlerësimin e vet, bazuar në pikëpamjet nacionale. Kemi informata se ka një mirëkuptim edhe pse jemi të vetmit në rajon pa viza edhe pse kemi treguar kujdes, disiplinë në marrëveshjet e ndërsjella dhe demarkacioni ka qenë kthesë e madhe dhe e ka bërë të veten. Parashihet të ndodhë brenda këtij viti, por i ka tri etapa.

Për sa i përket Zonës Ekonomike në Banjë të Malishevës është punë e vullnetit të mirë por nuk do të realizohet nëse shpronësimi kushton shumë.

Nëse do të jetë kosto e lartë shpronësimi në Banjë të Malishevës për ta shndërruar në Zonë Ekonomike, kjo nuk do të bëhet.

Ka informata se mund të jetë e shtrenjtë dhe nëse del të jetë ashtu, “më mirë t’i japim para komunës që të zhvillohet se të bëjmë shpronësim.

“Kur të vjen kosto, mundet ministri i Financave të thotë se kjo nuk bën dhe vendoset ashtu. Është mirë nëse shpronësimi s’del i shtrenjtë. Edhe vetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj do të tërhiqet nëse e sheh që është kosto e lartë”.

Qeveria e shkuar nuk e ka respektuar kontratën me Bechtel & Enkan për autostradën “Arbën Xhaferi”, po të ishte e përgjegjshme ish-qeveria, tani nuk do të kishte nevojë të paguhen 53 milionë euro shtesë për këtë kompani. Kontratat janë të ndjeshme. Ata kanë bërë kontratë me afate kohore edhe me penalti nëse nuk përmbushet afati. Sikur të kishte marrë përgjegjësinë qeveria e hershme, do të mund të ishte shumë më e vogël. Qeveritë tona në të kaluarën kanë menduar se mund t’i ikin në pakufi dhe unë është dashur ose ta lë të vazhdonte ose ta ndërprerja, por Bechtel & Enka nuk është AXOS se sikur të shkonim në Arbitrazh shuma do të ishte më e madhe sepse nuk kemi pasur shans ta fitonim. Opinionet ligjore të njerëzve tanë vërtetojnë se jemi gabim. Jo vetëm kaq, por krijimi i një konflikti të tillë rrezikon përmbylljen e një projekti dhe rrethanat tjera të rënda të vendit. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Sikur ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku të bënte marrëveshje më herët me Bechtel & Enkan, Kosova tani nuk do të paguante kaq shumë para, se po të priste akoma për marrëveshje, shuma deri në pranverë do të arrinte në 100 milionë euro.

Kam shkuar te Posta dhe Telekomi për t’i parë si është gjendja se ne jemi pronarë e mbikëqyrës. Gjendja është e rëndë. Telekomi është në bankrotim. Kam përshtypjen që nuk i kanë të qarta problemet as ata që janë brenda, pasi edhe vetë disa janë shkaktarë. Po fshihen pas problemeve me rroga, por dikush e ka pruar atë. Pa menaxhment, me në krye Agron Mustafën, s’ndodhin ato probleme. Ata e kanë pruar atë gjendje. E dhimbshme është gjendja. Interesimi s’është t’i ndëshkojmë punëtorët, por do të ishte veprim i brendshëm një plan që e rikthen kompaninë dhe që shkojnë përpara, ndryshe bankroton, ka thënë ai. Është dashur të përfshihen të gjitha masat, përfshirë uljen e pagave dhe të bëhet plani transparent që ta shohin të gjithë se për çka po bëhet fjalë e të mos mashtrohen as punëtorët. Ndoshta një pjesë e njerëzve kanë dëshirë me e bankrotua, se kanë opsione tjera. Por ne si Kosovë e ata punëtorë duhet të mendojnë seriozisht si të veprojmë.

Procesi i emërimit vjen përmes seleksionimit. Kemi involvuar një proces të rekrutimit anglez. Kur të vjen në qeveri propozimi, e emërojmë, por procesi nuk është aty. Emërimet kalojnë në disa procese e te ne vijnë 2/3 e ne e zgjedhim.

Nëse është kuadër i AAK-së që i plotëson kushtet e dëshiron ta provojë veten pse jo, s’jam kundër. Jo vetëm i AAK-së, edhe i partive tjera, por kushdo që e merr e merr një bombë të kurdisur. Një problem të madh dhe s’do të jetë e lehtë. Kam dëgjuar që Gent Begolli ka qenë i interesuar, por nuk e di a ka hy në procesin e intervistimit. Genti është djalë i gjallë. Ka qenë drejtor në Prishtinë dhe ka treguar menaxhim të mirë e kam dëgjuar fjalë të mira për të. Por nuk është emërim i pastër politik. Mund të ndodhë të mos vije, por mund të ndodhë edhe të vijë. Kisha pas dëshirë, por nuk është në dorën time.

Kur e shoh që dikush e ka mbushë pushkën e shpifjeve ndaj meje, nuk kam çka me i thanë’, politikanët kanë gazetarë ‘mercenarë’ nëpër disa media të Kosovës.

E di se duket keq vendimi i dhënies së 300 mijë eurove për det për veteranët. Ka ndonjë përfitues që nuk e meriton. Por një pjesë e madhe e tyre përpos traumave kanë edhe probleme shëndetësore, kemi dëgjuar shumë raste të vetëvrasjeve. Janë shumë pak para, më besoni për një respekt moral e emocional në shoqëri, për një paqe. E vlerësoj si shenjë respekti vendimin e dhënies së 300 mijë eurove për t’i dërguar në det 1500 veteranë të luftës.

Për sa përket nisjes së fushatës parazgjedhore të partnerëve të mi qeverisës, PDK-së dhe Nismës. “Kur t’ju del gjumi atyre ne i kemi kryer punët. Kemi menaxhuar me modesti, por kemi fituar në 7 komuna në zgjedhjet e fundit. Për pak ishim në tetë komuna fitues. Kemi punë stabile e kush ka nevojë le të punojë më shumë.

Faleminderit