24.04.2019

Intervista e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Pressing” të televizionit T7

Prishtinë, 24 prill 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë në emisionin “Pressing”, ka folur për tema të ndryshme, si, presioni që i është bërë për heqjen e taksës, dialogu me Serbinë, por edhe problemet me partnerët e koalicionit. Gjithashtu në intervistë, kryeministri ka folur edhe për pjesëmarrjen e tij në Samitin e Berlinit.

Fillimisht, kryeministri u pyet për kthimin e 110 kosovarëve nga Siria, tha se ka qenë një punë disa mujore e mekanizmave të sigurisë të Kosovë, në partneritet me institucionet e sigurisë së Amerikës. Kryeministri tha se tema është trajtuar me kujdes dhe për të gjitha zhvillimet, është përdorur një protokoll ligjor e kushtetues i diskutimit, i marrjes së vendimit, i aprovimit të veprimeve  e deri te ardhja e tyre.

Kryeministri Haradinaj, gjatë intervistës, duke folur për postin e drejtorit të RTK-së, për të cilin është përfolur se ka pasur përpjekje të partnerëve për të futur njerëzit e tyre për këtë post, kryeministri tha se, nuk është në dijeni për këtë proces.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu foli edhe për taksën, për të cilën tha se në këtë periudhë jemi në përvjetorë të masakrave dhe pikërisht për këtë, tha se është ankuar shpesh se pse po lejohet nga bashkësia ndërkombëtare që të merret qëndrim i drejtë kërkesa e Serbisë që Kosova të heq taksën, në mënyrë që të shkohet në dialog dhe lidhur me këtë, kryeministri potencoi se kjo është ofendim për viktimën.

“Kur po e shohin një pjesë e ndërkombëtarëve këtë që po e kalojmë, iu janë hapur sytë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nuk mund të shkosh në Meje, që janë rreth 400 të vrarë, e në anën tjetër i thuhet që ta heq taksën sepse po kërkon Serbia si kusht që të shkohet në dialog dhe, kësisoj nuk i nevojitet ai dialog, nëse ai është aq i poshtëruar para se të ulet në tavolinë.

Kryeministri Haradinaj tha se ka pasur argumente të fuqishme si Kosovë, që t’iu sqarohet evropianëve dhe amerikanëve që të jetë mjaft më me këto kërkesa.

Kjo intervistë e kryeministrit Haradinaj, mund të ndiqet e plotë në videon e bashkëngjitur.