23.10.2018

Intervista e Kryeministrit Haradinaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së

Prishtinë, 23 tetor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë për emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, ka folur rreth zhvillimeve aktuale në vend, siç janë hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në kuadër të formimit të ushtrisë së Kosovës, mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë dhe procedurat ligjore që duhet të kalohen; dialogu me Serbinë; idenë e korrigjimit të kufijve, si dhe shumë tema të tjera.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se me votën në lexim të dytë, ushtria do të bëhet realitet, pastaj kapacitetet operative, janë procese që do të arrihen.

“Është një forcë e stërvitur mirë, me standarde ndërkombëtare, parashihet që të ketë 5000 ushtarët aktivë dhe 3000 rezervë dhe njëkohësisht e ka edhe forcën tokësore, që janë tri regjimente. I pari fillon me Gjilanin, pastaj i fundit është me Mitrovicën”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ushtria ka edhe Gardën Kombëtare, një forcë më vete, si dhe qendrën e doktrinës, ku punohen politikat mbrojtëse me rëndësi për partneritet të mëtejmë.

Kryeministri Haradinaj tha, poashtu se ky proces është i përfunduar, ushtria është de fakto e përfunduar dhe se nuk janë disa kompetenca shtesë për FSK-në, por është mandat. Kryeministri Haradinaj tha se me rëndësi është që edhe Ligji për Qeverinë të bëhet dhe se nuk është mirë që qeveria e ardhshme të krijohet pa disa parametra.

Për temën e korrigjimit të kufijve, kryeministri Haradinaj tha se është rrezik i ndarjes së vendit. Për kryeministrin, kjo nuk është rrugë për zgjidhjen, por rrugë për telashe të tjera dhe se është kundër.

Për temat si, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, aferat korruptive në Qeveri, mund të ndiqni më gjatë në videon e bashkëngjitur.

Agjenda

Të gjitha