30.04.2019

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në Berlin për Televizionin T7

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë dhënë në Berlin për Televizionin T7, ka kam folur rreth Takimit të Nivelit të Lartë të thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ka qenë një ngjarje e rëndësishme, që i ka vlejtur, për shkak se ka një kohë që edhe dialogu ka devijuar, por edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar.

“Mendoj se me ngjarjen e ditës së djeshme, është shënuar njëfarë kthese dhe është më normale gjendja në Ballkan. Kancelarja Merkel dhe gjithë ekipi i saj, por edhe presidenti Macron, dje kanë dëshmuar që e kanë marrë më seriozisht çështjen e marrëdhënieve në Ballkan, perspektivën e tij, por sidomos dialogun Kosovë-Serbi”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tutje, gjatë intervistës, kryeministri Haradinaj tha se, Takimi i Nivelit të Lartë, e ka ndalë shkuarjen në drejtim të gabuar të proceseve në rajon, sidomos të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe është parë qartë se, dialogu, siç është udhëhequr nga zonja Mogherini, më nuk ekziston si i tillë dhe ka kaluar në një format të ri, pra është dyshja Berlin – Paris dhe po ashtu është vlerësuar se roli i Amerikës duhet të ndodhë dhe përkrahja e saj në këtë proces si garantuese.

“Me dje, ka ndryshuar, nuk ka më biseda për kufij e për territore. Bëhet fjalë për njohje Kosovë-Serbi, mirëpo për procesin se si të arrihet kjo deri te njohja, kanë mbetur ende dilema”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë intervistë, kryeministri foli edhe për çështjen e taksës dhe tema të tjera me rëndësi. E plotë intervista, mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.