30.05.2019

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Debat” në Radio Televizionin e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë në emisionin “Debat” në RTK, ka folur rreth zhvillimeve aktuale në vend, si, përfundimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, aksionin në veri, takimi me kancelaren Merkel, liberalizimin e vizave, marrëveshjen me Serbinë, si dhe shumë çështje të tjera.

Kryeministri Haradinaj tha se  s’do të ketë zhvillim, pa u bërë infrastruktura, s’do të ketë mundësi me ecë përpara.  “Kosova është faktor stabiliteti, që i besojnë fqinjët, aleatët, është po ashtu porosi edhe për investitorët”, tha kryeministri Haradinaj.

Lidhur me aksionin policor në veri, kryeministri Hardinaj tha se Policia e Kosovës e ka zbatuar urdhrin e Prokurorit, do ta zbatojë çdoherë, bë çdo pjesë të Kosovës, ndaj çdokujt.

Për takimin me kancelaren Merkel, kryeministri Haradinaj tha se është punuar intensivisht një kohë që marrëdhëniet Kosovë-Gjermani të fuqizohen në të gjitha dimensionet e mundshme. “Vendimi i Qeverisë gjermane për liberalizimin e vizave dhe menjëherë vendimi i ministrit të brendshëm, është dëshmi që gjermanët po i prijnë Evropës sa i përket Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se gjermanët e vlerësojnë kur angazhohesh, kur i kryen detyrat e shtëpisë.

Lidhur me marrëveshjen e Serbisë, kryeministri Haradinaj tha se, Kosova dhe Serbia duhet të deklarohen se a janë gati për marrëveshjen për njohjes në kufijtë ekzistues dhe nëse janë gati, atëherë procesi mbetet në nivel të këtyre liderëve më të mëdhenj të botës, kancelares Merkel dhe presidentit Macron.

Në videon e bashkëngjitur, mund të ndiqet e plotë intervista e kryeministrit Haradinaj.