14.03.2019

Intervistë e kryeministrit Haradinaj në emisionin “Debat” të RTV Dukagjini

Prishtinë, 14 mars 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për emisionin “Debat”, të RTV Dukagjini, foli për zhvillimet aktuale, me theks të vecantë për heqjen e taksës nga shtetet aleate të vendit tonë.

Kryeministri Haradinaj, në pyetjen se, sa po dëmtohet marrëdhëniet me Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, nga këmbëngultësia për të mos e hequr taksën, tha se,  ata vijnë për dy qëllime, një, Kosova është temë bilaterale e cdo vendi, pastaj, vijnë edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe, kuptohet për çështjen e vendimit të Qeverisë së vendit, i cili vendim ka ndikim edhe në dialog, pra taksa.

“Nuk është problem për ta taksa si taksë, por taksa është kthyer në problem për ta, si pengesë për dialog, por si ka ardhur deri te pengesa për dialog, është se vlerësimi i presidentit të Serbisë, se ‘me taksën në fuqi nuk do të ulemi të bisedojmë me Prishtinën’”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se SHBA-ja, por edhe aleatët e tjerë, kanë kërkesë të qartë, pra vazhdimin e dialogut dhe atyre iu ka dalë në rrugë si pengesë, çështja e taksës, por ata nuk vijnë të kritikojnë Kosovën për vendosjen e taksës, por thonë se vendimi po e pengon dialogun.

“Unë mendoj që profiti i Kosovës, do të ishte një kontratë bazë, në mënyrë që ne kur e suspendojmë këtë dhe ia plotësojmë Serbisë Kushtin, atëherë shpërblim për këtë që e bënë Kosova, është kontrata e njohjes reciproke, ku është edhe tregtia e lirë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se kërkesa që të suspendohet taksa për një proces të padefinuar, duke mos ditur se çfarë rezultati do të bjerë ai, atëherë Kosova po paguan çmim, vetëm të vazhdojë dialogu, duke hyrë kështu në një situatë, nga e cila prapë duhet të dilet disi, e dalja është, rikthimi te taksa, te problemet.

Intervista e plotë të kryeministrit Haradinaj, mund të ndiqet në videon e bashkëngjitur.