09.03.2018

Intervistë në Monitor (RTK)

 

Me datë 9 Mars kam dhënë intervistën time për emisionin “Monitor” në RTK . Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë kësaj interviste kishin të bëjnë kryesisht me ndodhitë e fundit në vend. Diskutim kryesor zuri vend zhvillimi i demarkacionit.

Janë ndërtuar shumë argumente që të kemi vota të mjaftueshme për demarkacionin. Raporti i komisionit shtetëror, të gjeturat e këtij raporti. Deklarata e dy presidenteve për rishikim dhe korrektim, mendoj se këto janë bazë që Kosova e fiton të drejtën e vet në territor, dhe kjo hapë përparësi për liberalizimin e vizave. Ka bazë që të votohet nga të gjithë.

Ka një dakordim nga partitë tona, duke pasur për bazë të gjeturat e raportit shtetëror.

Ne e kemi bërë një bisedë shumë të sinqertë me Listën Serbe dhe ata janë në shqyrtim e sipër të mundësisë për të përkrahur demarkacionin. Unë ë respektoj autoritetet e tyre sepse janë njerëz të Kosovës. Kjo është edhe në interes të tyre, sepse ata që jetojnë në Kosovë kanë dokumente të Kosovës dhe janë të izoluar.

Mua më ka shkruar një letër kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti, me të cilin ne kemi qenë bashkë në kundërshtim të kësaj marrëveshje të versionit të gabuar. Thelbi i kësaj letre përmban faktin që të korrigjohet përpara ratifikimit.

Në bisedat që kam pasur me kryeministrin e Malit të Zi, ka thënë që ne nuk kemi ambicie për territor të Kosovë, dhe këtë e vërtetojmë me deklaratën e dy presidentëve që jemi të gatshëm për korrigjim. Unë jam thellë i bindur se institucionet e Malit të Zi nuk kanë ambicie territoriale ndaj nesh, por është çështje e procedurave të tyre të brendshme.

Unë e kam pranuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shtimin e pikës 1.3 e nenit 3,që përmban deklaratën e dy presidentëve. Kjo është një çështje e zgjidhur me LDK-në, edhe pse kam qenë kundër, e kam respektuar qëndrimin e tyre.

Ne jemi të interesuar për integrim të serbëve, nuk jemi ne kundër, unë jam pro që të ju japim mundësi atyre që të integrohen dhe çdo kërkesë racionale e mirëpresim, por ne i obligohemi Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Çështja e demarkacionit mendoj se është një çështje e re, dhe ju kërkoj kolegëve deputetë që t’a rishikojnë pozicionin e tyre dhe mos ta lënë Kosovën në pritje të kësaj vote në pakufi.

Unë i ndjej temat e vendit, për mua nuk janë sport i zakonshëm politik plot tema, i ndjej, i përjetoj sepse nuk jetoj në vend të huaj, unë jetoj në vend tim. Mua më dhemb mos suksesi i vendit tim, më dhemb dëmtimi i interesave të vendit tim.

Është situate e qeverisjes jo të lehtë, por ministrat e të gjithë ministrive janë të fokusuar në punë dhe janë aktivë. Çdo javë është voluminoze, puna jonë që e bëjmë, të gjitha temat janë të lidhura direkt me jetën e qytetarit tonë.

Të gjitha vendimet e marra gjatë 6 mujorit të qeverisjes janë të rëndësisë së madhe, rishikimi i funksionimit të ligjit, energjia, asociacioni, ushtria, demarkacioni, janë në proces të avancuar.

Kosova sot konsumon energji të vetën, pra nuk importon dhe sot kemi gjendje të qëndrueshme energjetike në vend.

Kemi gjendje jo të mirë në Postë dhe në telefoni, të cilat kanë humbje, do të thotë kjo është një gjendje që nëpër vite ka ndodhur, dhe sanimi i kësaj gjendje për ne nuk është aq proces i thjesht. Ne nuk po nxitojmë, por së shpejti do ta kemi një bord për PTK-në. KEK-u është në gjendje pak më të mirë, ata e kanë rikthyer gjendjen dhe janë më stabil. Së shpejti do të dalim edhe me Bord për Trepçën, dhe do të fillojmë aktivizimin e Trepçës dhe gjetjen e partnerëve investivë potencial.

Ne jemi anëtarë të Bankës Botërore, të Fondit Monetar, por jemi edhe anëtarë i BERZH-it, me të cilin kemi krijuar disa marrëdhënie deri më tani kontraktuale. BERZH-i ka dhënë edhe kredi edhe ka mbështetë edhe sipërmarrësit privat të Kosovës, edhe është në marrëdhënie të vazhdueshme me Kosovën për disa projekte. Gjatë shkuarjes në Samitin e Londrës ka ndodhë pranimi i disa projekteve madhore.

Ne kemi shumë projekte investive në vend, që do të jenë kthesë për vendin, dhe do të mundësojnë punësimin e qytetarëve të vendit.

Marrëdhëniet me shtetet e tjera janë shumë të mira dhe bilaterale.

Çështja e ushtrisë tone i ka dy aspekte, njëra është përmbushja e kërkesës së brendshme si Kosovë, dhe e dyta është poashtu përmbushja, por edhe e pritjeve të aleatëve tanë në këtë rast që është NATO. Formimi i ushtrisë është në proces dhe është duke ndodhur.

Unë kam qenë kritik për Gjykatën Speciale. Kritika ime bazohet në faktin se është një etnike, pra gjykon vetëm shqiptarët, e ne e dimë siç ka qenë rrjedha e luftës në Kosovë, që plotë masakra të luftës në Kosovë kanë mbetur pa epilog të drejtësisë ndërkombëtare.

Hapja e vendeve të punës është shumë problem në Kosovë, dhe në këtë aspekt duhet të jemi shumë luftëtarë dhe të mos ndalemi kurrë për të hapur vende të reja të punës. Në këtë vend kushdo që jeton duhet të ndjehet i sigurt dhe i qetë.

Për këto dhe temat tjera, ju ftoj ta ndiqni intervistën time të plotë në emisionin Monitor në RTK,  në kanalin tim të Youtube.