04.04.2018

Krijohen strukturat e reja gjithëpërfshirëse për Asociacionin e Komunave Serbe

Prishtinë, 4 prill 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe.

Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike.

Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kosova me këtë hap përmbushë edhe një obligim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike.