02.11.2018

Kryeministri Haradinaj: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë

Prishtinë, 2 nëntor 2018

“Sot kujtojmë dy heronj të veçantë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Edhe se i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë me plotë të drejtë, megjithatë janë të veçantë, sepse veprimtaria e tyre liridashëse është e një periudhe të mëhershme, e një momenti më të hershëm të ringritjes sonë për liri”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në ceremoninë e lansimit të pullës postare për Heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Para të pranishmëve të shumtë, familjarë të heronjve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, kryetar të komunave, e personalitete të tjera, kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët në trojet e veta, në periudha të ndryshme të veprimit politik, u ngritën për liri.

Duke kujtuar kohën kur këta heronj rezistuan për liri deri në flijim, kryeministri Haradinaj tha se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, janë të veçantë, sepse rrjedhin nga familje që kanë rrugë të gjatë në kontributin për liri, duke shprehur falënderimin që bijtë e tyre ia dhanë atdheut.
“Ajo që Fahriun e bën ndryshe, ishte një mendimtar i zoti. Veprat e tij të mbetura, të shkruara, flasin për nivelin e lartë të mendimit të tij, një ideolog i temave tona kombëtare të lirisë”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se Qeveria e Kosovës është shtëpi e popullit dhe këtu duhet të ndihen më së miri familjarët e të rënëve për liri.
Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se është vepër e mirë lansimi i pullës postare nga Posta e Kosovës, në shenjë të përkujtimit të përjetshëm për dy heronjtë tanë.
Sejdi Hoxha, kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës, duke bërë prezantimin e pullës postare me portretet e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, tha se ndihet krenarë që Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare që i dedikohet heronjve të kombit.
“Emrat e heronjve tanë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ashtu siç janë përjetësuar në shumë institucione, rrugë e sheshe, nga sot do të përjetësohet në pullë postare. Imazhet e tyre të ndritura do të udhëtojnë në tërë botën përmes dërgesave tona postare”, tha Hoxha.
Familjarët e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu vlerësuan këtë si ditë të veçantë për familjet e tyre, duke falënderuar Qeverinë dhe Postën e Kosovës për lansimin e pullës postare me portretin e Afrimit dhe Fahriut.
Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në nderim të 29-vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Agjenda

Të gjitha