01.08.2018

Kryeministri Haradinaj: Ardhja e diasporës në Prekaz, lidhja më e mirë me atdheun

Skenderaj, 1 gusht 2018

“Me shumë mund është lartësuar deri në gjendjen e sotme atdheu ynë dhe e drejta jonë. Kemi ende punë për të bërë, kemi ende nevojë për njëri-tjetrin. Atdheu ynë ende ka nevojë për diasporën”, kështu tha Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij në koncertin e organizuar në Komunën e Skenderajt nga Ministria e Diasporës, me rastin e shënimit të ditës së Diasporës në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj porositi diasporën që ta lartësojnë Kosovën te ata popuj, te ato vende ku jeton diaspora, që ta ngrisim sa më lartë atdheun, të drejtën tonë, vlerën tonë.

“Dhe vazhdoni të besoni në atdheun tuaj, në vendin e lindjes dhe së bashku ta forcojmë Kosovën që të bëhet sikur vendet nëpër të cilat jetoni”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Pjesë e manifestimit Ditët e Diasporës ishin edhe homazhet te Kompleksi i Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se është mirë që janë bashkuar në Prekaz, vend i cili i bashkon shqiptarët kudo që janë. “Jam thellë i bindur që ardhja e gjithë diasporës në Prekaz, është lidhja më e mirë me atdheun”, tha kryeministri Haradinaj.

Pas homazheve kryeministri ka vizituar familjen Jashari ku është pritur nga Rifat Jashari.

Kryeministri Haradinaj ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Dardan Gashi dhe ministri i Shtetit për Diasporën i Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.

Në homazhe morën pjesë poashtu, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Rosario Petta Kryetar i Komunës Arbreshe, Piana degli Albanesi (Hora e Arbreshevet) në Sicili