22.06.2018

Kryeministri Haradinaj: Komuniteti Egjiptian pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese të Kosovës

Prishtinë, 22 qershor 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësues të komunitetit egjiptian, të kryesuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, si dhe përfaqësues nga shteti Egjiptian, të kryesuar nga Zahi Hawass, ish-ministër i Shtetit për çështje të antikiteteve, ambasador i OKB-së për trashëgimi globale.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj përgëzoi komunitetit egjiptian në Kosovë për ditën e tyre dhe tha se Kosova respekton diversitetin kulturor, etnik, fetar, dhe këtë e konsideron pasuri të vetën të veçantë.

Kryeministri Haradinaj tha se ky komunitet ka qenë i përkushtuar që nga paslufta për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese. “Këto janë dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se sa e drejtë dhe sa e justifikueshme është baza e vlerës multietnike, e cila po ndërtohet në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për kontributin e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë komunitetin egjiptian në Kosovë, nevojat kulturore të këtij komuniteti, ato arsimore, identitare, por para së gjithash do të bëjë përpjekje maksimale që të punojë në zhvillimin ekonomik dhe të sigurojë që përmes zhvillimit ekonomik të ketë sa më shumë të punësuar nga radhët e komunitetit egjiptian.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, po sot, ka marrë pjesë në shënimin e “Javës Egjiptiane” dhe 24 Qershorit, Ditës Nacionale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë dhe Ballkan, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit Haradinaj.

Me ketë rast, kryeministri Haradinaj, pasi uroi komunitetin egjiptian për ditën e tyre duke thënë se ky komunitet po zhvillohet në vete dhe se këtë festë e kanë kthyer në një festë për gjithë Kosovën.

Kryeministri Haradinaj tha se është nder që sot prezent është edhe profesori i nderuar nga Egjipti, Zahi Hawass, i cili është një vlerë e civilizimit dhe i cili vlerat që janë për gjithë globin, trashëgiminë mijëravjeçare, po i nxjerr në dritën e sotme dhe po i shpërndanë për të gjithë.
“Ju siguroj se atë pak që do ta bëjmë sëbashku për vendin, po e bëjmë me dinjitet dhe që ju të ndiheni vërtet të respektuar. Dëshira ime është që në Kosovë të ndihemi vërtet më dinjitetin e merituar”, tha kryeministri Haradinaj duke falënderuar këtë komunitet në angazhimin për zhvillimin e Kosovës për të ecur përpara.

Në fund të ceremonisë, përfaqësuesit e komunitetit egjiptian, në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë nga kryeministri Haradinaj për këtë komunitet, i dhuruan mirënjohje.