31.07.2018

Kryeministri Haradinaj: Kosova e përkushtuar të avancojë bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë

Prishtinë, 31 korrik 2018

“Kosova është mirënjohëse për gjithë angazhimin dhe ndihmën e shtetit gjerman dhe jemi të përkushtuar që kjo marrëdhënie bilaterale të avancojë mes shtetit të Kosovës dhe Gjermanisë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim deputetin gjerman nga radhët e CDU-së, Volkmar Klein.

Duke kujtuar rolin e madh të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës dhe përpjekjet e saj drejt pavarësisë së vendit, Kryeministri Haradinaj, shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre ndër vite.

Kryeministri Haradinaj e ka informuar deputetin gjerman Volkmar Klein për të gjitha të arriturat e vendit, me theks të veçantë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilën Kryeministri Haradinaj tha se po bëhet punë konsistente dhe përmbajtjesore për ta përmirësuar gjendjen në vend.

“Krahas sundimit të rendit dhe ligjit, fuqizimi ekonomik është shtyllë tjetër kryesore për të cilën po punojmë. Ne kemi tashmë ligjin për investime strategjike dhe investimet direkte gjermane janë të mirëseardhur dhe ne kemi krijuar kushte të përshtatshme për to”, tha Kryeministri Haradinaj.

Në takim u fol edhe për punën që po bënë Kosova në rrugën e saj euroatlantike si dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Kryeministri Haradinaj kërkoi ndihmën e shtetit gjerman në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e dialogut dhe procese të tjera të rëndësishme për vendin.

Ndërkaq, deputeti gjerman, Volkmar Klein, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për takimin e sotëm. Klein, u zotua se shteti gjerman do të qëndrojë krah Kosovës, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ambasadori gjerman Christian Heldt, drejtori i fondacionit KAS, Johaness Ray, si dhe Granit Tërnava, asistent hulumtues i këtij fondacioni.