10.10.2018

Kryeministri Haradinaj: Lëvizja e lirë është një e drejtë dhe privilegj, por ka edhe obligime

Prishtinë, 10 tetor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në promovimin e fazës së re të fushatës për liberalizimin e vizave.

Kryeministri Haradinaj, ditën e sotme e quajti të posaçme, pasi kujtoi kohën kur si i ri ka emigruar edhe vetë dhe është informuar për jetën jashtë vendit para se të migronte, duke thënë se lëvizja e lirë është një e drejtë dhe privilegj.

Më tutje, kryeministri tha se sot janë mbledhur që të diskutojnë dhe sqarojnë qytetarëve të Kosovës se lëvizja e lirë “Schengen” është një e drejtë e privilegj që i ka edhe disa obligime, përgjegjësi, të cilat duhen ditur.
“Liberalizimi i vizave nuk është punë e lehtë, edhe kur jepet mund të sanksionohet pastaj”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se edhe nëse dakordohet për liberalizim, ndonjë vend anëtar mund të propozojë edhe pezullim, prandaj, siç tha ai, kjo temë nuk duhet neglizhuar.

Kryeministri falënderoi Ministrinë e Integrimeve dhe Zyrën e Bashkimit Evropian dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për t’u plotësuar kriteret për liberalizim.

“Jemi qytetarë të lirë dhe kjo na takon, jemi Evropë, kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithë jetën dhe është privilegj, por ka edhe obligime që duhet zbatuar me përpikëri”, tha kryeministri Haradinaj, duke uruar që sa më shpejt të lëvizim lirshëm dhe t’i dëshmohet familjes evropiane që jemi qytetarë të dinjitetshëm.

Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë sfidues dhe se në këtë rrugë Kosova ka pasur 95 kritere, duke punuar shumë për plotësimin e tyre.

“Kemi kaluar me sukses votimin në Komisionin LIBE, Parlamentin Evropian dhe tani jemi një hap më afër dhe sfida e fundit do të jetë votimi në Këshill por ne nuk do të ndalemi, reformat do të vazhdojnë me një intensitet të shtuar”, tha Ministrja Hoxha, e cila shtoi se kjo fushatë ka për qëllim vetëdijesimin dhe informimin qytetarëve për mënyrën e funksionimit të vizave.

Ndërsa, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se sot së bashku me Kryeministrin Haradinaj dhe ministren Dhurata Hoxha është për të mbështetur fushatën ndërgjegjësuese për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke vlerësuar se fushata është një mjet i rëndësishëm për të komunikuar qartë me popullin e Kosovës rreth procesit, për të drejtat dhe detyrimet që dalin nga regjimi i vizave.

Agjenda

Të gjitha