12.09.2018

Kryeministri Haradinaj: Nëse ka një temë që i bashkon shqiptarët kudo që janë është vota pro NATO-s

Prishtinë, 12 shtator 2018

“Nëse ka një temë që na bashkon sot kudo që jemi shqiptarët si në trojet tona etnike, si shqiptarët në Maqedoni, në diasporë dhe kudo që jemi, është vota po për referendumin në Maqedoni, për një Maqedoni në NATO, për shqiptarët në NATO”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Kryeministri Haradinaj pas takimit me kryetarin Thaçi në një prononcim për media tha se është biseduar edhe për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe Maqedonia, me theks çështjen e referendumit të 30 Shtatorit.

“Ne në Kosovë vërtetë i thërrasim prej zemrës vëllezërit dhe motrat tona që jetojnë në Maqedoni, shqiptarët të votojnë pro NATO-s, duke e ditur që NATO na e ka shpëtuar jetën në vitin 1999, në kohën tonë më të vështirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira me Qeverinë e Maqedonisë, me kryeministrin Zaev, por edhe me spektrin politik dhe me politikën shqiptare atje.

Kryeministri Haradinaj dhe z. Thaçi u pajtuan që stabiliteti politik dhe ekonomik është i domosdoshëm për të dy vendet në mënyrë që rruga euroatlantike të jetë më e lehtë.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, tha se çështja kryesore e biseduar në takim me kryeministrin Haradinaj ishte Referendumi 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni, një moment vërtet historik për shqiptarët e Maqedonisë.

”Gjithë forcat politike shqiptare jemi duke punuar dhe besojmë plotësisht në një rezultat jashtëzakonisht pozitiv. Besojmë se gjithë shqiptarët e ndajnë bindjen me ne, se ne i kemi borxh perëndimit, i kemi borxh NATO-s dhe besoj se kjo është ideja madhore që i bashkon gjithë shqiptarët për shkak se këtu nuk ka dilema, orientimi  jonë i përgjithshëm pa marrë parasysh ku jetojmë si një shtet, është NATO dhe BE-ja”, tha kryetari Thaçi.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar z.Thaçi edhe për zhvillimet politike në Kosovë, për progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike, zhvillimin ekonomik, dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe çështje tjera me rëndësi për vendin.

 

Agjenda

Të gjitha