07.08.2018

Kryeministri Haradinaj pret pjesëtarët e komunitetit egjiptian nga diaspora

Prishtinë, 7 gusht 2018

Në kuadër të manifestimeve ‘Ditët e diasporës në Kosovë 2018” që janë duke u organizuar këto ditë, kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka organizuar një pritje të veçantë për pjesëtarët e diasporës nga komunitetit egjiptian i Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se përkushtimi dhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës për të siguruar ambient të qetë, zhvillues dhe prosperues, për të gjithë qytetarët e saj, do të jetë i vazhdueshëm.

“Edhe diasporën tonë, kudo që ndodhet, e ndiejmë pjesë tonën dhe do të punojmë që dija dhe kapitali i saj të jetë në shërbim të vendit dhe atdheut tuaj”, ka thënë kryeministri Haradinaj, dhe ka vlerësuar se komuniteti egjiptian në Kosovë është integruar dhe është pjesë e ndërtimit të atdheut tonë të përbashkët, Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, duke bashkëbiseduar me pjesëtarët e komunitetit egjiptian nga diaspora ka kërkuar që të gjithë të angazhohen në përcjelljen e imazhit të mirë për vendin tonë, por edhe për sjelljen e praktikave të mira zhvillimore në vend.

“Qeveria do të jetë në dispozicionin tuaj, në funksion të avancimit të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të saj, por edhe në realizimin e të gjitha të drejtave qytetare, njerëzore dhe kombëtare për shtetasit e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Pjesëtaret e diasporës së komunitetit egjiptian janë shprehur të kënaqur me angazhimin e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës në raport me komunitetin egjiptian. Ata kanë shprehur një falënderim të veçantë për faktin se është hera e parë për një pritje dhe diskutimit të çështjeve të tyre në nivel të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës.

Pjesë e kësaj ceremoni ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij komuniteti Veton Berisha, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe përfaqësues të tjerë institucional.