06.10.2018

Kryeministri Haradinaj priti në takim Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister

Prishtinë, 06 tetor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, e ka informuar z. McAllister për progresin e Kosovës dhe përkushtimin e saj në rrugën euroatlantike, për zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies për qytetarët e saj, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

“Ishte nder dhe kënaqësi për mua të diskutoj me David Mc Allister, i cili është Kryesues i Komitetit për punë të Jashtme në Parlamentin Evropian si dhe përfaqësues i Parlamentit Evropian nga Gjermania, CDU. Diskutuam per çështje të Kosovës, detyrat e Kosovës, çfarë bën qeveria e Kosovës por edhe per perspektivën për BE, si Kosovë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar z. McAllister për mundësinë që ta paraqesë punën e Qeverisë në Kosovë.

Ndërkaq, anëtari i Parlamentit Evropian dhe Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, z. David McAllister, duke shprehur falënderime për pritjen e sotme, tha se është i gëzuar që me kryeministrin Haradinaj, shkëmbyen pikëpamje interesante për shumë çështje të ndryshme.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë, anëtari i Parlamentit Evropian z. McAllister, shtoi se Kosova është duke u përballur më shumë sfida, por që ishte e rëndësishme që të dëgjonte nga kryeministri Haradinaj, se si ai i  sheh çështjet e politikës së brendshme në këtë vend, dhe se çfarë është duke bërë Qeveria në këtë drejtim, e po ashtu edhe për mënyrën se si do të vazhdojë dialogu me Kosovën e Serbinë.

Z. McAllister foli edhe për liberalizimin e vizave, ku tha se institucionet e Kosovës kanë punuar shumë që të përmbushin kriteret e kërkuara për heqjen e vizave, derisa ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të vazhdojë punën e madhe që është duke e bërë në reforma, në veçanti në luftimin e korrupsionit, sigurisë dhe migracionit.

 

Agjenda

Të gjitha