27.07.2018

Kryeministri Haradinaj: Prokuroria dhe Gjykatat duhet të kenë një plan menaxherial në zgjidhjen e rasteve të grumbulluara dhe atyre të shënjestruara!

Takimi i nëntë i Nivelit të lartë të Sundimi të Ligjit
Prishtinë, 27 korrik 2018

“Përfaqësuesit e Gjykatave dhe Prokurorisë në vend, duhet ta kenë një plan konkret menaxherial se si t’i qasen zgjidhjes së lëndëve të grumbulluara dhe të shënjestruara dhe i inkurajojmë institucionet tona që të angazhohen intensivisht në kryerjen e detyrave, veçmas për lëndët e grumbulluara dhe në një afat prej 3 muajsh të kemi rezultate konkrete të përmirësimit të trendit, sa i përket zgjidhjes së rasteve të grumbulluara”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e nëntë me radhë të Nivelit të lartë të Sundimit të rendit dhe ligjit.

Në takimin e sotëm, janë prezantuar të arriturat e muajve të fundit nga institucionet përkatëse, dhe në veçanti u diskutua për rastet e shënjestruara, që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se Qeveria e vendit është angazhuar në vazhdimësi që të krijojë kushte më të mira pune për gjyqtarët e vendit, të rrisë numrin e tyre, pagat dhe buxhetin operues dhe se tani është momenti që kjo te konkretizohet edhe me rezultate pozitive sa i përket zgjidhjes së lëndëve që janë grumbulluar prej vitesh.

“Zgjidhja e këtyre rasteve, jo vetëm që shënon rezultat pozitiv në rrugën tonë drejt integrimit euro-atlantik, por është e arritur e madhe edhe për fuqizimin e shtetit, për fuqizimin e familjes dhe institucioneve. Nuk mund të mbesim peng i kohës. Duhet të instalojmë një dinamikë të re pune, disiplinë”, tha kryeministri Haradinaj.

Në takimin e sotëm, është prezantuar gjendja e lëndëve dhe rasteve nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetari i Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi, kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi, kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikola Kabasic, kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bashkim Hyseni dhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Valon Durguti. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve, shpalosën statistika dhe trendin e punës, numrin e gjykatësve aktivë, lëndët e proceduara dhe uljen e përqindjes së rasteve të grumbulluara, si dhe shprehën gatishmërinë dhe zotimet e tyre që rastet e shënjestruara të kenë prioritet dhe të zgjidhen brenda afateve të parapara.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova, vlerësuan angazhimin e institucioneve në zgjidhjen e rasteve, duke inkurajuar ato që kjo të vazhdojë dhe të shënojë progres, në mënyrë që të ketë rezultate konkrete.

Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Haradinaj bëri thirrje nga përfaqësuesit e institucioneve të rendit e ligjit që të instalojnë një dinamikë të re pune dhe plan menaxhimi konkret, që trendi i zgjidhjes së rasteve të ndryshojë dhe u zotua që do të vazhdojë mbështetjen për këtë sektor.

Viti 2018 është shpallur si viti i Sundimit të rendit dhe Ligjit në vend, derisa takimet e Nivelit të lartë në këtë fushë po organizohen në përpjekje për të ndryshuar situatën e krijuar prej dekadash në vend.