03.08.2018

Kryeministri Haradinaj: Rritja e shkallës së gatishmërisë në vend nuk është urdhër për veprim, por fakt se jemi në gjendje gatishmërie dhe në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit do të veprojmë

Prishtinë, 3 gusht 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur sot në takim Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar gjendjen e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në vend.

“Ishte temë e ditës gjendja e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në vend, si dhe reflektimi i retorikës së fundit politike që ka ndodhë, pastaj reflektim i afateve kohore që lidhen me asociacionin, por edhe informatave tjera që lidhen me rendin dhe ligjin dhe sigurinë në vend. E vërteta është se kam kërkuar rritjen e gatishmërisë e institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë vendin, në mënyrë që të sigurojmë rend dhe ligj, qetësi në gjithë vendin në ditët që vijnë”, tha Kryeministri Haradinaj në konferencën për media pas këtij takimi, duke shtuar se me këtë nënkupton që gjendja në rend dhe ligj dhe siguria në vend, është e qetë, stabile, por se është kërkuar rritja e gatishmërisë për veprim, në rast të çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit në vend.

Kryeministri Haradinaj ka shtuar se retorika për kufijtë ose për territoret që ndodhë në Kosovë është kundër reagim i një retorike që vjen nga Beogradi, gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë, më konkretisht për veriun, është kundër reagim.

“Kjo retorikë nuk e ka qëllimin te prishja e rendit dhe të ligjit dhe të sigurisë në Kosovë, dhe duhet të ndihen të sigurt të gjithë në Kosovë për shkak të kësaj retorike, as serbët e Kosovës, as komunitetet tjera, por as shqiptarët, nuk duhet të ndihen të rrezikuar. Është retorikë politike, publike, kundër retorikë e një retorike që vjen”, ka nënvizuar Kryeministri Haradinaj.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është brenda obligimeve të veta, që nënkupton se me datë 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i grupit punues për draft statutin, duke shtuar se kjo është dinamika kohore dhe se procedura nga marrëveshjet në Bruksel parasheh që kjo të bëhet para palëve në këtë rast edhe para BE-së, edhe para palës serbe, edhe para palës së Kosovës, në këtë rast shefit të negociatave.

“Ne qëndrojmë brenda obligimeve, nuk kemi dal nga obligimet qofshin në dialog, pra nga obligimet në Bruksel, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Kështu që, ne kur e marrim transkriptin japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi që është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Me këtë po dua të them se Kosova si palë është serioze, është brenda obligimeve ndërkombëtare dhe vendore. Për këtë, nuk ka askush të drejtë, askush nuk e ka të drejtën të ndërmarrë veprime të njëanshme, askush. Pse? Sepse asnjë thyerje, asnjë dalje nga obligimet nuk ka bërë Kosova”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj, duke sqaruar se nëse dikush do të merrte ndonjë veprim të njëanshëm, atëherë ai veprim është jashtë ligjeve të Kosovës, edhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ai veprim do ta merrte përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është brenda marrëveshjes ndërkombëtare, ka respektuar obligimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe Brukselin, respekton ligjet e veta dhe kushtetutën e vet dhe nëse dikush del jashtë kësaj, atëherë ligji do të vepron me seriozitetin e vet, e këtu nuk ka dilemë, e nëse dikush ka dilema këtu gabohet, pra do ta marrë përgjigjen e vet.

Ndërsa sa i përket personave të caktuar të dyshimtë, që është konstatuar se qarkullojnë në veri dhe të cilët mund të jenë nga Republika Serbska ose nga zonat tjera, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova çdo herë ka mirëpritur ardhjen e të gjithë qytetarëve të lirë të botës te ne dhe janë të mirëpritur në çdo pjesë të Kosovës.

“Janë procedurat e udhëtimit e dimë si shkojnë, por nuk kemi shprehur ndonjë paragjykim, kushdo që hynë brenda territorit të Kosovës me qëllim qoftë të shkaktimit të ndonjë incidenti, prishjes së rendit dhe të ligjit, normal që do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe të ligjit, këtu s’do të ketë dilema”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Në fund të konferencës për medie, Kryeministri Haradinaj ripërsëriti faktin se rritja e shkallës së gatishmërisë në vend nuk është urdhër për veprim, por fakt se jemi në gjendje gatishmërie dhe në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit do të veprojmë.