07.08.2018

Kryeministri Haradinaj: Rruga jonë, është rruga e lirisë, rruga e popujve të lirë evropian!

 

Gjakovë, 7 gusht 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, mori pjesë në
Akademinë Përkujtimore në nderim të dëshmorëve Mark, Prend, Kolë dhe Memë Lleshi.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh tek lapidari kushtuar dëshmorëve Mark, Prend, Kolë, dhe Memë Lleshi.
“Nderi i këtij vendi është edhe më i hershëm. Jemi në vendin, trevën që ka dhënë njerëz të zotë në të gjitha kohërat”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nga kjo familje edhe në Luftën e Dytë Botërore kishte të rënë, e në luftën e fundit, ndër familjet e ralla që dha katër dëshmorë.

Kryeministri Haradinaj, duke theksuar veçantinë e kësaj familje, tha se ata nuk e përqafuan luftën, por e krijuan, e bënë atë.
“Familja Lleshi e dëshmoi që lufta për liri e shqiptarëve, e UÇK-së ishte luftë e të gjithëve, luftë e jona. E kemi për nder sot që të përulemi me respekt para memorialeve të dëshmorëve Lleshi”, tha kryeministri Haradinaj, duke dhënë edhe porosinë, që shqiptarë ishim, shqiptarë jemi dhe shqiptarë do të mbetemi.

“Ishim shqiptarë edhe atëherë kur këndej kanë kaluar plot e plot fuqi e botëra, disa prej të cilave kanë lënë gjurmët e veta, por gjurma më e mirë në trojet tona jemi ne vet”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri tha se falë sakrificës së brezave dhe falë dëshmorëve që i kujtojmë sot, ne si popull, sot jemi të lirë dhe, rruga jonë, është rruga e lirisë, rruga e popujve të lirë evropian.

Në këtë akademi të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, si dhe shumë bashkëluftëtarë të dëshmorëve që u përkujtuan sot.

Me nga një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe nenkryetari i Komues së Gjakovës Ramadan Hoti, famullitari Don Albert Jakaj, profesor Emin Kabashi dhe përfaqësuesi i familjes Lleshi, Gegë Lleshi, i cili tha se historia jonë na ka dëmtuar shumë në aspektin e shpërblimit pas luftës, por rezistenca e UÇK-së, humbjet ishin të mëdha, por në të njëjtën kohë ato u shpërblyen me lirinë tonë.
Ai falënderoi kryeministrin Haradinaj për organizimin e këtij tubimi, Komunën e Gjakovës për investimet që ka bërë para lapidarit të dëshmorëve, duke uruar që në të ardhmen të takohen në gëzime.

Agjenda

Të gjitha