05.10.2018

Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri

Skenderaj, 5 tetor 2018

“Populli ynë i ka shumë borxh dëshmorëve, por një varr të dinjitetshëm ia kemi borxh çdo qytetari tonë që ka rënë për liri dhe sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt, ku u bë edhe rivarrimi i heronjve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, ceremoni kjo që u organizua nën patronatin e kryeministrit te Kosovës, Ramush Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve, kryetarë të komunave dhe personalitet tjera të jetës politike, akademike e ushtarake të vendit, kryeministri Haradinaj tha se sot, po zënë vend, në tokën e vet, luftëtarët e kësaj toke, bijtë e këtij populli dhe, gjithë bashkëluftëtarët e tyre, familjet, ndihen të lehtësuar, se më në fund trupat e tyre po rehatohen në tokën e vet, ashtu siç i ka hije, me dinjitet.

Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se borxhi tjetër të cilin ua kemi dëshmorëve, është se duhet forcuar liria, për të cilën ata ranë.

“Duhet forcuar shtetin, në ekonomi, politikë të brendshme dhe të jashtme, për të ruajtur Kosovën, për ta ruajtur territorin e vet dhe, kufijtë e vet t’i ruaj të paprekshëm prej kurrkujt, çoftë ai këtu me ne, çoftë tjetër kund, për shkak se këta kufij na i ka lënë amanet këta që po i rahatojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë duhet ditur se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbërri me gjak.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit dhe në veçanti kryeministrin Haradinaj për gjithë organizimin, tha se sot, Marina, hyri në hartën e kombit, si vendi ku pushojnë viganët e lirisë dhe nga sot ky vend bëhet pjesë e kujtesës sonë kolektive se si fitohet liria.
“Sot Marina po e bart peshën e dhimbjes dhe krenarisë tonë për heronjtë tanë që përjetësisht nga kjo tokë do t’i bëjnë roje atdheut, lirisë tonë, ndërgjegjes tonë”, tha kryetari Jashari.

Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta, të pranishmit i përshëndeti Hysni Gucati.

Pas fjalimeve, nga Togu Ceremonial i FSK-së është bërë rivarrimi i Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Mujë Krasniqi, komandant i Brigadës 113 që mbanë emrin e tij dhe Abedin Rexha, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”.

Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj bëri homazhe edhe te varret e Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha.

Agjenda

Të gjitha