06.11.2018

Kryeministri Haradinaj: Testamenti që na e lanë heronjtë për një Kosovë të lirë, me ushtrinë e vet, po realizohet

Prishtinë, 6 nëntor 2018

“Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga rënia heroike e Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, e Hamdiut, Bekteshit e Nezirit, megjithatë në mendjet, ndjenjat dhe në zemrat tona, kujtimi për bijtë tanë, për këta bashkëluftëtarë është i freskët, por edhe dhimbja e ngjarja është e freskët”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj foli për të veçantat e kësaj ngjarje, për atë që i karakterizonte këta heronj dhe dëshmorë të kombit.

“Xhelal Hajda ishte eprorë ushtarak me përvojë, stërvitje e njohje paraprake për luftën. Ardhja e tij në Kosovë, në Zonën e Dukagjinit që në fillet e para, pas betejës heroike në Prekaz dhe rënies së familjes legjendare të komandantit legjendar Adem Jashari, ishte një përkrahje, një forcë dhe një porosi se lufta e popullit të Kosovës për liri do të forcohet, do të ketë plotë burra e gra, që do t’i bashkohen kësaj lufte. Edhe Selajdin Mullabazi ishte luftëtarë i lindur, me njohuri për luftën dhe me kapacitete të një eprori. Edhe Bekteshi, Hamdiu dhe Neziri, edhe pse vinin nga një trevë tjetër e atdheut, nga Vushtrria, ata rrjedhnin nga familje patriotike, e që obligimin dhe përgjegjësinë për luftë deri në liri e kishin në ndjenjë, në vetëdije, ishin pra lufta vetë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se është e vështirë që të kujtohen këta heronj dhe që të sillet këtu historia e Tonit dhe Micit, por theksoi se ata bëjnë pjesë në mesin e luftëtarëve më të zot shqiptarë të të gjitha kohërave. “Asnjëherë kur ka pasur beteja luftarake, ku ka pasur detyra të vështira, kur është kërkuar rreziku apo sakrifica më e madhe deri në flijim, ata nuk kanë munguar. Fakti se janë flijuar së bashku me djem të një treve tjetër, flet po ashtu për lidhjen e fuqishme që kishte lufta jonë për liri”, tha kryeministri Haradinaj.
Tash kur kanë kaluar 20 vjet nga ajo ngjarje, kryeministri Haradinaj, tha se edhe pse me mund, edhe pse ndoshta edhe me gabime, testamenti që na e kanë lënë heronjtë po realizohet gradualisht, për një Kosovë të lirë, me ushtrinë e vet, për një Kosovë të mundit dhe të gjakut.

“Sot mund t’ju themi: Pushoni të qetë, Xhelal, Selajdin, Hamdi, Bektesh, Nezir, sepse rruga juaj për liri po vazhdon nga të gjallët me respektin më të madh për ju”, tha kryeministri Haradinaj.

Një fjalë në këtë akademi e mbajtën edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në emër të bashkëluftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut, Smajl Latifi, ndërsa në emër të bashkëluftëtarëve të Zonës Operative të Shalës, Safet Hasani. Të pranishmit në emër të
familjarëve i ka përshëndetur Ermal Selajdin Mullabazi.

Të pranishëm në akademinë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, ishin edhe presidenti Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, bashkëluftëtarë të heronjve e dëshmorëve, familjarë të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Agjenda

Të gjitha