11.09.2018

Kryeministri Haradinaj: Vendosja e Memorialit, ndjenjë e përkrahjes së parezervë për familjet e viktimave të 11 Shtatorit

Prishtinë, 11 shtator 2018

Në shenjë nderimi për jetët e humbura të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për Vendosjen e Memorialit të përhershëm në oborrin e Qeverisë, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se është e ndjenja e përkrahjes, e lutjeve për familjet e viktimave të 11 Shtatorit, por edhe e përkrahjes së parezervë të popullit dhe institucioneve të Kosovës, për Amerikën në luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se, pikërisht në ditën e sotme në vitin 2001 kanë ndodhur sulmet terroriste në New York, Pensilvani dhe Uashington, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në këtë rast janë vrarë shumë njerëz të pafajshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë prirë botës në shpëtimin e jetëve tona në kohëra të vështira të luftës së Kosovës dhe i kanë mbrojtur popujt e botës dhe këtë e ndjejmë më së shumti dhe më së miri ne, dhe është e kuptueshme ndjenja e përkrahjes, e lutjeve tona për familjet e viktimave të 11 Shtatorit, por edhe e përkrahjes së parezervë të popullit të Kosovës, të institucioneve, për Amerikën në luftën kundër terrorizmit”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sot janë bërë homazhe e nderim në përkujtim të viktimave nga kabineti Qeveritar, kryetari i Kuvendit dhe zyrtarë të tjerë institucional të Kosovës, duke shprehur falënderim edhe për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie dhe kolegët tjerë të Ambasadës Amerikane.

Kryeministri Haradinaj tha se Zyra e Kryeministrit në kuadër të përgatitjeve për sot, ka vendosur për ndërtimin e një memoriali të përhershëm kushtuar viktimave të 11 Shtatorit, siç tha ai, një memorial i vogël por që do të shprehte respekt dhe që në traditën e nderimit do të ishte e përvitshme në nderim të këtyre viktimave të pafajshme, të sulmeve terroriste, sipas protokollit shtetëror.

“Nga ajo që u pa sot, nga mënyra e nderimit u vërtetua se një memorial simbolik, por i respektueshëm do t’i bënte nder Kosovës, institucioneve të Kosovës, Qeverisë së vendit dhe të gjithë liridashësve, dhe do ta shprehte qartë përcaktimin tonë për koalicionin tonë kundër terrorizmit”, tha kryeministri Haradinaj.

Poashtu, sot në kuadër të këtyre aktiviteteve bëhen homazhe dhe ndezën qirinj në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

Agjenda

Të gjitha