26.09.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj mbajti konferencë për media pas vizitës zyrtare në SHBA

Prishtinë, 26 shtator 2019

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas kthimit nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një konferencë për media, tha se në Nju Jork është takuar me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, i ngarkuar për Ballkanin, që nënkupton çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është takuar edhe me Përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen.


“Me z. Palmer ishte pjesa bilaterale Kosovë-Amerikë, rajoni dhe sfidat që na presin në të ardhmen, mundësia e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se për tema të njëjta ka biseduar edhe me z. Heusgen.

Në SHBA, kryeministri në detyrë Haradinaj ka takuar edhe bashkatdhetarët, të cilët i ka nderuar për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të mirën e Kosovës.
“Ata vërtet meritojnë falënderim, sepse e kanë lartësuar të drejtën e shqiptarëve në Amerikë, njëkohësisht i kanë ndihmuar Amerikës që ta kuptojnë këtë të drejtë dhe të na përkrahë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Duke e komentuar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se vizita e tij atje ka qenë shumë e rëndësishme për t’i qartësuar pozicionet e Kosovës si kryetar qeverie, por edhe si lider politik i vendit, qëndrime të qarta, tashmë më të njohura dhe më të respektuara kundër lëvizjes me kufij dhe kundër ndarjes.


“Ka qenë me rëndësi edhe tash me qenë atje pasi edhe presidenti Vuçiq, edhe Serbia dhe gjithë të tjerët janë jashtëzakonisht aktiv. Njëkohësisht ka qenë me rëndësi që të flasim edhe për pamundësinë që Kosova të adoptojë ndonjë model sikurse Bosnja në të ardhmen. Pra ka qenë tepër e rëndësishme me qenë atje, sepse është moment kur bëhen shumë komunikime dhe nëse të gjithë ata shkojnë prej këtyre komunikimeve pa ndonjë pikëpamje të duhur, atëherë zhvillimet po marrin një drejtim të gabuar dhe më vonë po është shumë vështirë korrigjimi i tyre, si rasti i mëhershëm i idesë së shkëmbimit të territoreve ose ndërrimit të kufijve që nuk ka qenë lehtë përballja me atë ide”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.


Në përgjigjen e kryeministrit në detyrë Haradinaj dhënë gazetarëve në konferencën për media, rreth fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, tha se është gabim drejtimi që ka marrë presidenti Vuçiq dhe se ideja që ne duhet të marrim njohje duke dhënë diçka, ende është në tavolinë. “Mirëpo ai nuk është duke e penguar Kosovën, por ai po e pengon Serbinë dhe kështu nuk do ta lejojë ecjen përpara të vendit të tij drejt BE-së apo ndonjë zhvillimi tjetër duke e penguar Kosovën dhe se këtë ia kanë bërë me dije në Berlin, por edhe në Nju Jork”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se projektet për ndarje dhe lëvizjen e kufijve kanë dështuar dhe do të dështojë edhe projekti i ndonjë Dodik Republike nëse dikush merr drejtim të gabuar.
Ndërkaq, sa i përket taksës, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se taksa mund të jetë ndërrimi për njohje.