27.09.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj mori pjesë në festën tradicionale “Festari 2019”, në Komunën e Suharekës

Suharekë, 27 shtator 2019

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori sot pjesë në festën tradicionale “Festari 2019”, në Komunën e Suharekës. Fillimisht, kryeministri në detyrë, Haradinaj u prit nga kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj, të cilët bashkë me qindra fëmijë, nisën marshin e festës nga objekti i Komunës së Suharekës deri te Muzeu i Qytetit, ku edhe u bë hapja e festës tradicionale dhe ekspozitës së prodhimeve vendore.

 

Në fjalën e tij, në këtë ceremoni kryeministri në detyrë Haradinaj tha se sot është  i gëzuar që është bashkë me qytetarët e Suharekës, si pjesë e Festarit, një festë tradicionale që i kthen vëmendjen këtij qytetit dhe një festë që është edhe e artë edhe e rinisë.

 

“E artë se vlerat më të çmuara dhe më sublime të Therandës dhe tonat i nxjerr në dritë dhe e rinisë, e cila i ecë proceset përpara”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Theranda po i bën një nder jo vetëm vetes por edhe Kosovës.

 

“I nderuar kryetar, ju më këtë ngjarje kaq të mirë, me festën e juaj po gërshetoni një ngjarje edhe atë që e thatë ju prodhim e traditë në prodhim por edhe kulturë e traditë që ne e kemi si Kosovë”, shtoi kryeministri në detyrë Haradinaj, duke i uruar bujqit në këtë ditë për të gjitha të arriturat e tyre, por edhe duke i përgëzuar Shoqëritë Kulturo Artistike të kësaj Komune, për aktivitetet e organizuara, veçmas me më të vegjlit.  Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Haradinaj, ka uruar që Theranda të jetë çdoherë e më e fortë dhe të jetë qind për qind më e forta në Kosovë.

 

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se për të është nder dhe kënaqësi që po e bën hapjen e ekspozitave të prodhimeve vendore si një festë tradicionale që festohet, tash e shumë vite. “Është një festë që e lidh edhe kulturën por i lidh edhe prodhimet”, tha ai duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për faktin se me vendosjen e taksës, ka ndikuar që prodhimet vendore të rriten në vend dhe se ky veprim ka ndikuar për të mirë për qytetin e Therandës.

 

Pas ceremonisë zyrtare dhe fjalës së tij, kryeministri Haradinaj ka vizituar dhe ka bashkëbiseduar me prodhuesit, të cilët me produktet e tyre ishin pjesë e Ekspozitës së prodhimeve vendore dhe pjesë e këtij festivali.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj ka vizituar Muzeun e qytetit, ku pa nga afër gjetjet e artefakteve  nga qytetarët e Suharekës që datojnë nga koha e Neolitit.

 

Më pas, kryeministri në detyrë Haradinaj, mori pjesë në organizimin e Lojërave Popullore, në kuadër të Festari 2019, për të vazhduar më pas, bashkë me shumë fermerë të kësaj ane, në ceremoninë e vjeljes së rrushit dhe degustimit të verës.

 

“Festari” është festival tradicional, i organizuar për të 18-in vit me radhë në Komunën e Therandës dhe që ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore, bujqësore, afirmimin e fermerëve tanë dhe gjithashtu edhe ruajtjen e traditës kulturore shqiptare.