07.11.2019

Kryeministri në detyrë Haradinaj në diskutim me gazetarë shpalosi të arriturat dhe raportin e punës “Qeverisja Haradinaj II”

Prishtinë, 7 nëntor 2019

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka shpalosur të arriturat dhe raportin e punës “Qeverisja Haradinaj II”.

Para gazetarëve, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Qeveria nën drejtimin e tij ka miratuar 140 projektligje, 70 akte nënligjore të miratuara në mbledhje të Qeverisë, 256 akte nënligjore të nxjerra nga ministrat në kuadër të fushëveprimit të tyre.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se 29 projektligje janë me ndikim të drejtpërdrejt dhe i dedikohen zhvillimit ekonomik. “Njëkohësisht, 18 vendime të Qeverisë janë për kreditë ndërkombëtare, 15 vendime për zonat ekonomike në Kosovë, 42 vendime po ashtu janë me ndikime financiare direkt për ekonominë. Janë aprovuar 10 dokumente zhvillimore, 22 marrëveshje ndërkombëtare, 4 vendime janë me ndikim në sferën e energjisë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se gjatë kësaj periudhe janë aprovuar 41 koncept dokumente të rëndësishme, është miratuar buxheti për vitin 2019, që është 2 miliardë e 374 milionë euro, 612 milionë euro, është buxhet më i madh se sa na vitin 2017, apo 32 për qind më i lartë brenda dy viteve.

“Rritja e bruto produktit vendor për vitin 2019 është 4.7 për qind, më e larta deri më tash dhe investimet kapitale në vitin 2019 kanë arritur në 700.89 milionë euro, apo 329 milionë më shumë se në vitin 2017”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se numri i të punësuarve nga 2017 deri në korrik 2019 është rritur për 30.648 apo 10 për qind.

Momente të veçanta e që sipas kryeministrit në detyrë Haradinaj disa kanë peshë të veçantë janë zbatimi në plotni i Ligjit për Trepçën, Ligjet për Ushtrinë, pavarësimi energjetik, Ligji për Paga, Ligji për Kryeqytetin, vendime që vërtet efektet e tyre do të jenë të vazhdueshme si për zhvillimin e brendshëm shoqëror ekonomik, të sigurisë, por edhe për pozicionin e Kosovës në planin rajonal dhe më gjerë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj ka ofruar edhe materialet që i ka përgatitur Qeveria për dialog në etapa të ndryshme, njëkohësisht qëndrimet politike të njohura si ‘ position paper” në momente veç e veç.

Duke falënderuar për kohën dhe bashkëpunimin përgjatë këtyre viteve, kryeministri në detyrë Haradinaj është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve që kishin të bënin me liberalizimin e vizave, arsimin, zhvillimet politike në vend dhe çështje me rëndësi për vendin dhe qytetarët.