19.07.2019

Mbledhja e 111 e Qeverisë

Prishtinë, 19 korrik 2019

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka qenë autorizimi për përfaqësimin e Kosovës në Trupën Punuese për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Trupa Punuese do të emërohet duke u mbështetur në Deklaratën e Përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, të datës 16 shkurt 2018, me të cilën është paraparë themelimi i Trupës së Përbashkët Punuese për rishikim dhe korrektim të vijës kufitare në sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit. Në Trupën Punuese do të jetë Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe, sipas nevojës, ekspertizë shtesë në zbatim të detyrave të dhëna.
Qeveria në vazhdim ka miratuar vendimin për autorizimin e Ekipit Vendor për Zhvillimin e Kompakt Programit në fushat e identifikuara gjatë procesit të diskutimit me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit. Fushat e identifikuara janë:
·        Shërbimet ndihmuese;
·        Reduktimi i humbjeve;
·        Projekti për gazifikimin e Kosovës;
·        Projekti për asistence teknike të institucioneve të ndryshme;
·        Asistencë teknike për implementim te Programeve – ESCO.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendiminpër shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare për Delegacionin Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Vlera e mjeteve të mbetura nga shuma e ndarë kthehen në nën programin shpenzimet e paparashikuara – Rezervat

Edhe vendimi për ngritjen e bustit të senatorit Robert Dole, në rrugën Robert Dole në Prishtinë, si shenjë respekti ndaj kontributit të Senatorit dhe raportit të fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Ngritjen e bustit do ta bashkë financoj edhe Oda Ekonomike Amerikane.

Është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për realizimin e të drejtës në pagë për drejtorin, zëvendësdrejtorin dhe kryeinspektorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës pas përfundimit të mandatit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 45.900,00 euro për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ). Mjetet financiare do të shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme financiare për anëtarët e KMDLNj-së për monitorimin e proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara.
Është aprovuar Draft – Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Draft- Strategjia do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Në mbledhjen e sotme të rregullt të Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për Administratën Tatimore dhe procedurat. Ky Projektligj rregullon procedurat për administrimin e detyrimeve tatimore në Republikën e Kosovës që janë në fushëveprimin e Administratës Tatimore të Kosovës. Gjithashtu, projektligji rregullon parimet e organizimit dhe të funksionimit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Bordit të Ankesave.

Ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për zhvillimin e ujërave të zeza në Gjilan. Huaja për mbështetjen e projektit kap shumën 10 milionë euro dhe do të shlyhet në 24 këste të barabarta vjetore deri në shtator të vitit 2033.
Projektligji për drogat, substancat narkotike dhe substanca psikotope, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky projektligj rregullon kushtet, procedurat, mbikëqyrjen e veprimtarisë me droga, barëra narkotike dhe barna psikotrope.

Projektligji synon parandalimin e trafikimit dhe keqpërdorimit të barnave. Në projektligj pjesërisht janë harmonizuar dispozitat e Rregullores së Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për shkëmbimin e informatave, sistemin e paralajmërimit të hershëm dhe vlerësimit të riskut  për substancat e reja psikoaktive.

Është shqyrtuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për pezullimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore nga AKP  te Komunat e Kosovës për qëllime të realizimit të projekteve të interesit publik. Qeveria ka miratuar vendimin që anulon këtë shfuqizim dhe do te vazhdojë të shqyrtojë të gjitha kërkesat e komunave për prona që janë të lidhura me realizimin e realizimin e projekteve të interesit publik.

Me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit është bërë ndërrimi i kryesuesit të Këshillit dhe është plotësuar edhe me përfaqësuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga OJQ-CBM (Community Building Mitrovica).

Me propozimin e Ministrisë së Financave është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për prokurimet e centralizuara që udhëhiqen nga Agjencia Qendrore e Prokurimit. Qëllimi i ndryshimeve është menaxhimi i kërkesave nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për sigurimin e mallrave, shërbimeve ose punëve që kanë përdorim të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në veçanti, vendimi i miratuar sot do t’i mundësojë Agjencisë së Prokurimit Qendror që të zbatojë të gjitha procedurat në projektin e rindërtimit të shtëpive të djegura në Mitrovicën e Veriut.

Është aprovuar edhe Raporti i pestë mbi planifikimin dhe implementimin e “Klauzolës për investime, i cili do t’i dërgohet për informim edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Raporti është përgatitur nga Ministria e Financave dhe ka karakter informativ për Qeverinë dhe Kuvendin dhe për publikun për proceset e implementimit të projekteve që financohen përmes “Klauzolës së Investimeve” të përcaktuara më Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive.

Qeveria ka miratuar nismat për negocimin e marrëveshjeve në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 dhe financimin e projekteve, si dhe Trajtimi i ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit”. Gjithashtu është miratuar nisma për negocim të marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Mitrovicë, Faza 2”

Kryeministri ka ngritur çështjen e realizimit të projektit të ndërtimit të nënstacioneve 110 kilovoltëshe në komunat e Kosovës dhe ka kërkuar nga kompetentët që të hartojnë një plan të afatizuar për realizimin e këtyre projekteve në të gjitha komunat e Kosovës.
Gjithashtu kryeministri ka kërkuar që  projektet për trajtimin e ujërave të zeza të shtrihen në gjitha komunat e Kosovës me plan dhe dinamikë të paracaktuar.

Ministria e Drejtësisë ka propozuar dhe kabineti qeveritar e ka aprovuar vendimin për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e përfaqësimit të Republikës së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në çështjet e ngritura nga individë dhe operatorë ekonomikë.
Ministria e Financave ka propozuar fillimin e procedurave për zgjidhjen e statusit të Lotarisë së Kosovës, për çka ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

Krejt në fund të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit.

Kryeministri ka thënë se e bën këtë pas ftesës së që ka marrë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. Kryeministri ka theksuar se ai nuk dëshiron në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, dhe beson thellë në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.