06.10.2018

Qeveria e Kosovës do të kujdeset për mirëqenien ekonomike, për të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare, si dhe për nevojat e përgjithshme të njerëzve në Luginën e Preshevës

 

Prishtinë, 6 tetor 2018

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time shumë të madhe, ndjenjat dhe emocionet e mia të vërteta, që sot jemi bashkë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim rreth 100 nxënës të shkollave të mesme nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci dhe mësimdhënës nga kjo trevë, me të cilët ka bashkëbiseduar për shkollimin, sukseset dhe sfidat me të cilat përballen ata.

Kryeministri Haradinaj së pari ka përshëndetur organizimin e këtij takimi, duke e quajtur të mrekullueshëm bashkëbisedimin me nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj treve, në të njëjtën kohë i ka falënderuar ata për mundësinë që nxënësit të shohin nga afër Kosovën, Qeverinë dhe institucionet tjera.

“Qeveria e Kosovës do të kujdeset për mirëqenien ekonomike, për të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare, si dhe për nevojat e përgjithshme të njerëzve tanë atje, në të njëjtën kohë për nxënësit dhe për shkollat në vendbanimet ku jetojnë ata”, tha kryeministri Haradinaj ” duke vlerësuar se Kosova bashkëndjen me ta, me familjet e tyre, me prindërit e tyre.

Duke folur rreth investimeve nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se ka kënaqësinë që t’i informoj se kjo Qeveri ka filluar të ndaj mjete për projekte të caktuara, dhe po ashtu është përkrahur edhe ndërtimi i një parku publik në qytetin e Preshevës.

Më tej, kryeministri Haradinaj duke folur rreth sfidave dhe tragjedive që ka kaluar populli shqiptar, para nxënësve tha se politikat në të kaluarën kanë qenë të gabuara dhe populli shqiptar i ka vuajtur shumë, por nuk është popull hakmarrës dhe janë të gatshëm të falin, të pajtohen në mënyrë që i gjithë Ballkani të jetojnë në paqe.

Kryeministri Haradinaj, tha me këtë rast se nxënësit shqiptarë duhet të ndihen krenarë pasi i takojnë popullit, që është një prej kombeve më të vjetra në rruzullin tokësor, që është autokton dhe jeton në trojet e veta, që ka vlera të jashtëzakonshme me të cilat mburret shumë, që ka tolerancë në besim dhe fe, në etni dhe që është euroatlantik.

“Ju siguroj që perspektiva juaj në vendbanimet e juaja, por edhe kudo që jetojmë ne si shqiptarë është e ndritur”, tha kryeministri Haradinaj i cili premtoi se institucionet e Kosovës, Presidenti, Parlamenti, Qeveria, përfshirë edhe komunat do të jenë me ta.

Kryeministri Haradinaj iu përgjigj edhe interesimit të nxënësve lidhur me tekstet shkollore, njohjen e diplomave nga ana e Serbisë dhe çështje tjera me të cilat ballafaqohen ata gjatë shkollimit. Kryeministri në fund të fjalës së tij falënderoi koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, për organizimin duke thënë se është mirë që vizita të tilla të kthehen në traditë.

Kryetari i organizatës “Shpresa”, Nevzad Luftiu, e cila vepron në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, i dhuroi kryeministrit Haradinaj një album me bukuritë e kësaj ane, duke thënë se ndjehet i emocionuar pasi takohet me një kryeministër dhe një çlirimtar.

Agjenda

Të gjitha