24.12.2018

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt

Mbledhja e 81-të e Qeverisë

Prishtinë, 24 dhjetor 2018

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e radhës, të 81-ën me radhë, ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës sëKosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Ky Projektligj përcakton hierarkinë institucionale dhe procedurën vendimmarrëse në Procesin e Dialogut me Republikën e Serbisë. Po ashtu, rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë, duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, Projektligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mbanë me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Miratimin e Qeverisë e mori edhe Plani Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2019, i cili shërben për zbatimin e prioriteteve të politikave të përcaktuara në Programin e Punës së Qeverisë së Kosovës, duke qenë njëkohësisht edhe mekanizmi institucional vjetor i cili shërben për të zbatuar në praktikë Planin katërvjeçar të Qeverisë 2017 -2021. Në mënyrë më specifike aktivitetet prioritare ku do të orientohet puna e Qeverisë gjatë vitit 2019 janë: Arsimi, punësimi dhe shëndetësia; Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; Fuqizimi i konkurrueshmërisë së sektorit privat; Infrastruktura dhe mjedisi; Integrimi evropian, politika e jashtme dhe çështjet e sigurisë.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-015 për Letërnjoftim.
Miratimin e qeverisë e mori edhe Projektligji i Punës, i cili ka për qëllim që t’i rregullojë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, siç përcaktohet me këtë projektligj.

Projektligji për Pijet e Forta Alkoolike, i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, përcakton rregullat për përshkrimin, paraqitjen dhe etiketimin e pijeve alkoolike si dhe mbrojtjen e treguesve gjeografik të pijeve alkoolike dhe zbatohet për të gjitha pijet alkoolike të vendosura në treg në Kosovë, qoftë të prodhuara në Kosovë apo jashtë Kosovës, si dhe për ato të prodhuara në Kosovë për eksport dhe me përjashtim të produkteve të prodhuara nga shtetet anëtare të BE-së të cilat duhet të jenë në pajtim me Rregulloren e BE-së për pijet alkoolike.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Projektligji për Diasporën, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe pjesëtarëve të diasporës, mbrojtjen dhe përkujdesjen për të drejtat sociale, politike, kulturore, ekonomike dhe të interesave të tjera të diasporës.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Rregullorja për Mënyrën e Notifikimit dhe Ofrimit të Informacioneve mbi Rregulloret Teknike, Procedurat për Vlerësimin e Konformitetit dhe Standardet.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u shqyrtua dhe miratua kërkesa e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për ndarjen e buxhetit për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Gjithashtu, kabineti qeveritar miratoi vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 09/38 të datës 29 mars 2018, për emërimin e një anëtari të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës Sh. A.
Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të rivarrimit të heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, mori miratimin e kabinetit qeveritar në vlerë prej 47 mijë e 500 euro.
U miratua edhe vendimi për kursime, ndarje, transfere, dhe rialokime buxhetore ndërmjet kategorive të shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2018.

Qeveria e Kosovës, miratoi edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave, të cilat preken nga themelimi i “Zonës Ekonomike” në Komunën e Malishevës, Zona Kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik të Komunës së Malishevës.
Në mbledhjen e sotme, u miratua Raporti për Gjendjen e Natyrës për vitet 2015-2017.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Koncept dokumentin për  fushën e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale. Rregullimi i kësaj fushe parashihet edhe me Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, për vitin 2017-2018 dhe me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2018.
Po ashtu, në këtë mbledhje është marrë vendim që t’i riprocedohet Kuvendit të Kosovës vendimi me nr. 11/68  të datës 9 tetor 2018.
Qeveria miratoi edhe Udhëzimin Administrativ për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të investitorit strategjik dhe financimin e projekteve strategjike, i cili ka për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës. Miratimi i këtij udhëzimi administrativ mundëson zbatimin dhe funksionalizimin e Ligjit për Investime Strategjike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Hajriz Koca.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të ndjerit Fadil Vokrri t’i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e tij të dhënë në promovimin e sportit në arenën ndërkombëtare.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.